Aktualitet

Gazetari Arben Manaj nga Londra: COVID-19 do të jetë shok i madh për bizneset, përfshirë median

Përditësimi i fundit: 26/03/2020 - 21:56
Text size Aa Aa

Duke folur drejtpërdrejt nga Londra, gazetari Arben Manaj tha se Britania e Madhe nuk e mori fillimisht seriozisht krizën shëndetësore të coronavirusit duke lejuar vazhdimin e aktiviteteve që mblidhnin shumë njerëz në hapat e parë të shfaqjes së virusit atje.

Megjithatë z. Manaj sqaroi se disa masa pozitive janë marrë, por Britania nuk është ende në karantinim të plotë siç është për shembull India me 1.3 miliardë banorë.

“Gjithsesi njerëzit janë të kufizuar. Gjatë ditëve të fundit Londra sa po vjen dhe po karantinohet, ndërkohë që ka shumë lëvizje nëpër autostrada, edhe në qendër të Londrës, ashtu edhe në zonat ku përgjithësisht jetojnë shqiptarët,” u shpreh gazetari.

“Por kjo është një situatë e diktuar edhe nga ata që duhet të punojnë, ‘njerëzit kyç’, infermierët ose punëtorët,” shtoi z. Manaj duke dhënë detaje për paqartësinë e punonjësve që duhet të vazhdojnë punën pavarësisht situatës.

Ministri britanik i Financave lajmëroi ditën e sotme një plan për të ofruar grant prej 80% të pagës për të vetëpunësuarit atje, që kanë paguar taksa në 3 vitet e fundit. Por kjo ndihmë do të hyjë në fuqi në muajin qershor, duke lënë hendek dy-mujor tek qytetarët.

I pyetur lidhur me mënyrën e përballimin të situatës nga mediat britanike, gazetari Arben Manaj tha është vendosur të pezullohen shkarkimet e gazetarëve nga mediat për disa muaj.

Megjithatë Manaj tha se pandemia ka shtuar në mënyrë paradoksale presionin mbi stacionet televizive atje, pasi audienca është më tepër në shtëpi dhe ka arritur kulmin, por vështirësitë kanë prekur të gjitha bizneset.

“Ky është një shok i madh në sistem për ekonominë britanike dhe bizneset, ndaj mund të duhet të merren gjithashtu vendime të vështira për reklamat,” deklaroi Manaj.

Gazetari paralelizoi rastin e COVID-19 me virusin Ebola, ku ndryshe nga kjo e fundit që tërhoqi kamerat e televizioneve, coronavirusi nuk po i bën aq përshtypje medias britanike, megjithëse vendi pritet të përfshihet nga një numër i shtuar rastesh dhe qeveria po përgatitet për përkeqësim të situatës.

Manaj e mbylli intervistën duke përgëzuar të gjithë kolegët shqiptarë që ndodhen në terren duke raportuar në këtë kohë të vështirë të krizës.

Tregime të lidhura