Aktualitet

Ministrja Ogerta Manastirliu në Ilva Now: Do të blejmë 10 mijë teste

Përditësimi i fundit: 26/03/2020 - 19:09
Text size Aa Aa

Shqipëria ende nuk është e përjashtuar nga mundësia që të përfshihet nga një skenarë i ngjashëm me atë që po ndodh në Itali. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu duke folur për ‘Ilva Now’, deklaroi se gjithçka do të varet nga efekti që do të japin masat kufizuese.

“Pritshmëritë tonë në kuadër të masave që kemi marrë janë që ne të mos shkojmë në skenarin italian, por kjo do të varet nga sjellja e qytetarëve, sa po ruajnë distancimin social. Armiku është i padukshëm ashtu edhe kërkon që të luftohet përmes fshehjes”, deklaroi ministrja.

Znj. Manastriliu nga ana tjetër nënvizoi se ka ende të fshehta që nuk janë mësuar nga coronavirusi dhe për këtë arsye nuk mund të bëhet ende një parashikim por shtoi se, për shkak se masat nga Shqipëria janë marrë deri në 2 javë para shumë vendeve të tjera, pritet që të kemi një efekt më të lehtë.

“Një gjë është e sigurt, janë ndërmarrë masa drastike që në konfirmimin e rastit të parë, ndaj jemi shpresëplotë se nuk do të përballemi me kurbën malore që janë përballur vende si Italia,” deklaroi Manastirliu.

E pyetur nëse ka arritur piku i përhapjes së COVID-19 në vendin tonë, ministrja e Shëndetësisë tha se ende nuk mund ta thotë një gjë të tillë. “Pritet rritje e rasteve pozitive të coronavirusit në Shqipëri. Do të kemi kurbë që do të karakterizohet nga rritje, por shpresojmë të mos jetë kurba e lartë që po shohim në vendet e tjera, por të jetë sa më e lehtë që t’i japi mundësi sistemit shëndetësor të ofrojë kujdes për ata që kanë më shumë nevojë, veçanërisht të sëmurët kritikë,” u shpreh ministrja e Shëndetësisë.

Sa u takon spitaleve që do të presin të infektuarit, znj. Manastriliu u shpreh se përveç Spitalit Infektiv, do të shfrytëzohet për një gjë të tillë spitali “Shefqet Ndroqi”, ish-spitali i Kirurgjisë si dhe një spital karantinë ku do të trajtohen ata me simptoma të lehta.

Për numrin e testimeve, ministrja bëri të ditur se në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Shqipëria ka porositur 10 mijë teste të reja për COVID-19, kurse numri i testimeve të kryera ka ardhur gjithnjë në rritje.

“Kemi rritur testimet dhe të prekur janë nga 10 deri në 20% dhe këtu jemi brenda mesatarës së vendeve të rajonit. Ne kemi teste, por vijojmë të blejmë teste dhe tamponë. Do të blejmë 10 mijë teste”, deklaroi znj. Manastriliu.

Lexoni gjithashtu:

A e ka kryer ministrja e Shëndetësisë testin për COVID-19? Manastriliu: S’më lejohet të sëmurem

 

Tregime të lidhura