Aktualitet

Kryeministri Rama për Euronews Albania: Po konsiderojmë lehtësimin e masave pas 12 ditëve të ardhshme

Përditësimi i fundit: 01/04/2020 - 13:39
Text size Aa Aa

Në një intervistë ekskluzive për Euronews Albania kryeministri shqiptar Edi Rama tha se nëse trendi aktual vazhdon qeveria do të marrë në konsideratë lehtësimin e masave që kufizojnë lëvizjen, por vetëm pasi të shihet se çfarë do të ndodhë në 10-12 ditët e ardhshme.

“Nëse ne nuk do të kishim marrë këto masa, sot do të ishim në kushtet kur s’do të kishim më vend në spital për ata që do të kishin nevojë për të marrë frymë. Numri i të vdekurve mund të ishte 30-fish. Prej këtyre masave jemi në një kurbë mjaft të butë dhe në një situatë absolutisht në kontroll në sistemin tonë shëndetësor,” deklaroi Rama në intervistën me gazetaren Bruna Çifligu.

Kryeministri shtoi se qeveria ishte e vetëdijshme për pasojat negative që masat kanë sjellë në jetën e përditshme dhe ekonomi, por i konsideroi ato sakrifica të nevojshme ndaj kësaj lufte.

"Jam i bindur se nëse ne do të vazhdojmë kështu, ne do t'ia dalim më shpejt se shumë të tjerë. Ndërkohë kemi edhe planin e lehtësimit. Pasi të kemi parë si do të eci kjo javë dhe java tjetër, apo më saktë 10-12 ditëshi i ardhshëm, mund të mendojmë edhe për ndonjë masë lehtësuese," shtoi kryeministri.

Kreu i qeverisë u shpreh gjithashtu optimist se nëse vazhdon rezistenca për të dalë gjallë nga coronavirusi, atëherë me siguri që do të jemi të gjithë të lehtësuar dhe krenar për luftën që po bëjmë.

Lexoni më shumë:

Edi Rama i përgjigjet opozitës në Euronews Albania: Përpara se të flisni gomarllëqe, informohuni

A do t'i ndihmojë qeveria mediat përballë COVID-19, kryeministri Rama përgjigjet në Euronews Albania

Ku konstaton garancia sovrane 100 mln dollarë? Edi Rama në Euronews Albania shpjegon detaje

Rama për klubet e futbollit: Nuk kanë çfarë t'i kërkojnë qeverisë, ato deklarojnë paga të rreme