Aktualitet

Basha kërkoi në Euronews Albania shtim të testeve për COVID-19, Rama i përgjigjet: S'marrim mendimin e PD-së

Përditësimi i fundit: 09/04/2020 - 08:36
Text size Aa Aa

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e konsideron rritjen e testimit si mënyrën për të kuptuar situatën reale të përhapjesCOVID- 19 në Shqipëri . Këtë deklaratë kryeopozitari e bëri mbrëmë në një komunikim të drejtpërdrejtë me  emisionin “IlvaNow” në Euronews Albania.

Por, thirrjes së tij për shtimin e testeve i është përgjigjur menjëherë Kryeministri i vendit, Edi Rama. Me një komunikim në “Facebook”, shefi i qeverisë në lidhje për testet u shpreh se PS-ja dhe mazhoranca qeverisëse nuk do të pranojë të marrë mendimet e opozitës “as në këtë botë dhe as në botën tjetër”.

Sipas tij, kjo është një çështje që i përket Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe jo e politikës, qeverisë apo e Partisë Demokratike.

“Sot partia e Ndrecës kishte dalë dhe thoshte që: “ne paskemi gënjyer, unë paskam gënjyer, që kemi 2 mijë teste, kjo është kulmi”. Sepse jemi jemë në një fazë, ku unë e kuptoj stresin, mbingarkesën, e mirëkuptoj padurimin, por jemi në një fazë që ka një mungesë të madhe vëmëndje edhe për të lexuar gjërat që thua. Unë kam thënë shprehimisht: Testet janë çështje të Komitetit Teknik të Ekspertëve, nuk janë çështje të poltikës, nuk janë çështje e qeverisë, e lëre pastaj e Partisë Demokrartike, kurrë!. As në këtë botë dhe as në botën tjetër, nuk mund të marrim mendjen e Partisë Demokratike për testet, kurrë! Çka unë kam thënë ka qenë që: “Kjo është strategjia e përcaktuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Nëse komiteti do thoshte na duhen 2 mijë teste në ditë, ne do të kishim 2 mijë teste në ditë, 3 mijë dhe 5 mijë teste", tha Rama.

Ai garantoi se qeveria do të jetë e hapur dhe në mbështetje të kërkesave që do të vijnë nga ky komunitet, i cili është ngritur për të parandaluar frenimin e pandemisë globale të COVID-19 në Shqipëri.

 "Në këtë luftë nuk kemi hyrë qorrazi, dhe unë nuk kam hyrë me “të dalë ku të dalë”. Jemi përgatitur për gjithçka. Në çdo moment që do të duhet diçka, Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk do t’u mungojë edhe sikur të jetë pas diellit në momentin që ne flasim", shtoi ai.

Lexoni gjithashtu:

Basha për Euronews Albania: Mungesa e testimeve po na mban në errësirë, qeveria prioritet njerëzve të vet të afërt

 

Tregime të lidhura