Aktualitet

COVID-19 godet turizmin, operatorët turistikë kërkojnë ndihmën e qeverisë

Përditësimi i fundit: 09/04/2020 - 09:32
Text size Aa Aa

Pandemia globale vijon të reflektojë probleme të mëdha në disa sektorë të ekonomisë në Shqipëri. Sektori që duket se po e vuan më shumë këtë situatë të pazakontë është sektori i turizmit.

Operatori turistik në Shqipëri, Besnik Vathi, në një lidhje të drejtpërdrejtë me Euronews Albania tha se sektori i turizmit është me i godituri, pasi në një periudhë të shkurtër kohore, ky sektor shumë i rëndësishëm për ekonominë u godit nga dy fatkeqësi natyrore.

“Fillimisht me tërmetin dhe pa u riparuar pasojat e tërmetit, filloi një situatë e pa imagjinueshme globale jo vetëm në Shqipëri me pasoja të rënda për turizmin. Një sektor i goditur rëndë dy herë nga dy fatkeqësi natyrore”, tha ai.

Ai tha se për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, janë anuluar 80 për qind e prenotimeve në këtë sektor çka do të thotë se ky vit do të përballet me një tkurrje të madhe sa i takon gjenerimit të të ardhurave financiare.

“Anulimet janë 70-80 %. Nuk themi komplet sepse një pjesë janë parapaguar dhe janë në pritje se si do të shkojë situata. Edhe shpresa për këtë pjesë është e vogël, pasi kuptohet se çdo kthim situate, që siç diskutohet edhe nga analistë në botë, nuk është më kthim në situatën e mëparshme. Në këto kushte për një rifillim të ri, shpresat janë të vogla në lidhje me çdo përparim që mund të ndodh. Ndihma në këtë sektor duhet të jetë me një paketë të veçantë, sepse ky sektor dallon nga sektorët e tjerë për shkakun se është një industri që pësoi dy goditje. E para tërmeti. E dyta, goditja e dytë është goditje që filloi përpara se të vinte coronavirusi në Shqipëri, që kur filloi në Kinë u ndërprenë porositë me klientët kinezë, vazhdoi me masat shtrënguese dhe duket që do të vijojë më tej.”, tha ai.

Më tej, zoti Vathi theksoi se në këto kushte duhet një ndihmë e posaçme nga qeveria shqiptare, pasi në të kundërt, pasojat për këtë sektor do të jenë të parikuperueshme. Sipas tij, shoqatat turistike i kanë dërguar kërkesa direkte qeverisë dhe kërkojnë prej saj të marrë masa të menjëhershme.

“Ne kemi bërë disa kërkesa që duhet shikohen dhe studiohen nga qeveria. Janë kërkesa direkte, që kanë të bëjnë edhe me subvencionet për pagat e punonjësve”, shtoi ai.

Tregime të lidhura