Aktualitet

Rikthehet Parlamenti nën rregulla të rrepta, të enjten mbahet seanca plenare

Përditësimi i fundit: 13/04/2020 - 07:33
Text size Aa Aa

Pas rreth një muaji mungesë, këtë javë do të rikthehen seancat parlamentare në Shqipëri. Deputetët do të paraqiten fizikisht në Kuvend më datë 16 prill, për të miratuar disa akte të qeverisë, ndryshimet në Kodin Penal dhe dy dekretet e Presidentit të Republikës Ilir Meta, për "anti-KÇK" dhe ligjit të pronave.

Seanca do të zhvillohet nën rregulla strikte, teksa në hyrje të kuvendit, do të ketë dhe staf mjekësor për të matur temperaturën e secilit deputet që hyn në sallë.

Deputetët do të jenë të pajisur me maska dhe doreza dhe do të qëndrojnë në distancë mbi 1.5 metër nga njëri-tjetri, teksa do të shfrytëzohen dhe ambientet e tjera të sallës, si galeria, për të akomoduar deputetët.

Propozimi i Partisë Socialiste për të bërë ndryshime në Kodin Penal deri në 15 vite burg si masë shtrënguese për qytetarët që thyejnë karantinën është kundërshtuar nga shoqatat e shoqërisë civile me argumentin se shkel të drejtat themelore të njeriut.

“Në kushtet kur organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut po rekomandojnë në mbarë globin uljen e popullatës në sistemin e burgjeve, për shkak të rrezikut të shtuar që kanë shtetasit e privuar nga liria në institucionet e mbyllura për t’u prekur nga Covid 19, në Kuvendin e Shqipërisë po diskutohen propozime ligjore që vijnë në kundërshtim me këto rekomandime.Në vlerësimin tonë, dënimet penale të propozuara në Kodin Penal janë jo proporcionale, nuk respektojnë parimin e humanizmit të parashikuar në nenin 1 fraksion “c” të Kodit Penal si dhe cenojnë liritë dhe të drejtat e shtetasve.”, thuhet në reagimin e shoqatave.

Kryeministri i vendit, Edi Rama, është shprehur se është i hapur për ndryshime, por jo për t’u tërhequr nga kjo nismë, e cila sipas tij, ka për synim ruajtjen e shëndetit dhe jetën e qytetarëve.

“Kështu që nëse kanë propozime konkrete për përmirësime bujrum pa humbur kohë, sepse s'mund të jemi i vetmi vend në planet që s'ka asgjë në Kodin Penal për të mbrojtur popullin nga kërcënimi i jetës, në kushtet e epidemisë! Përmirësime po, tërheqje as që bëhet fjalë fare.Shoqatat s'duan asgjë në Kodin Penal për mbrojtjen nga epidemia?!Po daljen e njerëzve nga shtëpia e duan?!Po rivënien në lëvizje të ekonomisë e duan?!Po rrezikun e infeksionit kur hapemi e kanë menduar?!E pra, nuk kemi rrugë tjetër për t'u hapur pa rrezikuar të humbim gjithcka!" shkroi Rama.

Tregime të lidhura