Aktualitet

Mblidhet Komiteti i Ekspertëve, Kalo: Hapja të mos kalojë në shqyerje, qytetarët të respektojnë masat

Përditësimi i fundit: 07/05/2020 - 11:37
Text size Aa Aa

Mjeku infeksionist, Tritan Kalo, njëherësh anëtar i Komitetit Teknik të Ekspertëve anti-COVID-19, ka shprehur shqetësimin se lehtësimi i masave mund të kthehet në problem për situatën e pandemisë nëse qytetarët neglizhojnë masat e higjienës.

Në mbledhjen e Komitetit Teknik që po zhvillohet me videokonferencë nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama, Kalo qetësoi opinionin publik duke theksuar se në vjeshtë nuk do të ketë valë më të madhe të COVID-19, por përzierje të virusit me viruset e tjera.

“Ajo që më brengos si mjek dhe si anëtar i këtij Komiteti, është që hapja mos të konsiderohet si shqyerje, pra që të mos heqin dorë me këto masa të shtuara të higjienës, pasi duhet të jemi të bindur se tashmë duhet të bashkëjetojmë me këtë virus,” – u shpreh Kalo ndërsa theksoi se tashmë shtimi i rasteve do të vijë vetëm nëse nuk do të respektohen masat e higjienës dhe distancimit fizik.

“Është krijuar ideja sikur do të kemi një valë të madhe të COVID-19 në vjeshtë, por jo, nuk do të kemi një valë, por një përzierje të COVID-19 edhe me infeksione të tjera, që duhet ta theksojmë se çdo vit janë mbi 75 viruse që përfshijnë vendin. Për sa kohë nuk kemi asnjë preparat antiviral apo vaksinë kundër COVID-19, do të jetë vetë imunizimi i popullatës që do ta shkëpusë dhe dobësojë virusin, por kjo do të kërkojë kujdes,” – theksoi mjeku i Spitalit Infektiv.

Shqetësimit të Kalos iu bashkua edhe Kryeministri Rama, i cili kujtoi se pas datës 18 maj mbi 90 për qind e aktiviteteteve do të rihapen.

Ai u shpreh se qytetarët nuk duhet ta harrojnë që virusi mbetet mes nesh dhe për këtë duhet të vazhdojnë e t’i respektojnë masat parandaluese.

“Mund të biem pre e një pushtimi tjetër vetëm se vala e dytë nuk do të jetë riardhje e virusit me forca të reja, por dorëzim i njerëzve për shkak të sjelljes së gabuar,” u shpreh Rama, i cili i kërkoi Komitetit krijimin e sa më shumë materialeve sensibilizuese për qytetarët në kushtet e rihapjes.

Në mbledhjen e sotme Kryeministri ironizoi disa herë me faktin se opozita ka kritikuar shpesh mungesën e informacionit apo transparencës në mbledhjet e Komitetit Teknik.Komiteti Teknik në një mbledhje gjatë muajit shkurt; Foto: Ministria e Shëndetësisë

Komiteti Teknik i Ekspertëve u ngrit më 31 janar. Si organ i raporton Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, kryesohet nga zëvendësministrja Mira Rakacolli dhe përbëhet nga 11 anëtarë.

Anëtarët janë: Flutura Beqo, Albana Fico, Silva Bino, Vjollca Braho, Najada Como, Tritan Kalo, Skënder Brataj, Mirela Cami, Andi Koraqi, Gjeorgjina Lito dhe Narvina Sinani.

 

Lexoni gjithashtu:

10 raste të tjera me COVID-19, shkon në 842 numri total i të prekurve