Aktualitet

Hapen autoshkollat, Tonin Gjinaj: Klasat do të reduktohen me 50%

Përditësimi i fundit: 14/05/2020 - 13:25
Text size Aa Aa

Autoshkollat do të rihapen më 18 maj, ndërkohë që regjistrimi i kandidatëve të rinj ka nisur që ditën e hënë. Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare të Autoshkollave flet për sfidat më të cilat ky biznes është përballur përgjatë pandemisë së COVID-19.

Hapja e dritës jeshile për rinisjen e aktivitetit të autoshkollave, ka bërë që këto të fundit të nisin dezinfektimin e ambienteve për të pritur kursantë të rinj. Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare të Autoshkollave, Tonin Gjinaj tregon se 50% e klasave do të jenë të reduktuara dhe se do të shtohen oraret e mësimdhënies.

“Do të kemi një protokoll strikt, do të matet temperature para se të futen në auditore. Gjithashtu do të përdoret xheli dezinfektues. Do të dezinfektohen klasat dhe makinat, më pas ato do të lëvizin. Në automjet do të ketë një kandidat. Pas çdo praktike me kandidatin përkatës do të bëhet dezinfektimi i automjetit. Kandidati dhe i gjithë personeli i autoshkollës duhet të jetë i pajisur me maska dhe xhelin dezinfektues. Qoftë edhe makina me sprajtin dezinfektues”, shpjegon ai.

Gjinaj, pranon se autoshkollat kanë kaluar një situatë të vështirë ekonomike, e cila duket se do të vazhdojë për disa kohë. Sipas tij, pagat e luftës nuk kanë qenë të mjaftueshme për të mbajtur familjen.

“Ky vit iku, që të rimëkëmbet ekonomia pas 2 muajsh pa punë është e vështirë. Duhet ta kuptoni. Janë shumë taksa, shumë tatime, siguracione njerëzish, kamionësh. Për 2 muaj kemi qenë të mbyllur. Kemi paguar siguracione që janë nga 600-700 mijë lekë të autobusëve, kamionëve, që kanë qëndruar pa punë, pa të ardhura. Rëndësi ka që në vazhdojmë të lëvizim, qarkullojmë, u vijmë në ndihmë qytetarëve dhe kandidatëve dhe ne do të vazhdojmë të ringrihemi. Lufta fitohet duke u përballur me të”, thotë z. Gjinaj.

Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare të Autoshkollave, pranon se ka pasur një interesim të menjëhershëm të kandidatëve për t’u regjistruar në kursin e patentës.

“Është shumë e vështirë të jesh pa punë dhe të jesh pa mësimdhënie dhe të jesh larg kandidatëve, se sa të zbatosh protokollet shëndetësore. Ishte një ditë e bukur, një ditë e lumtur. Na u duk sikur dolëm nga lufta, sikur dolëm nga burgu”, thotë ai. Qëndrimi në treg i autoshkollave ilegale, sipas Gjinajt mbetet ende një problem.

Tregime të lidhura