Aktualitet

18 raste me COVID-19, Manastirliu: Nëse vazhdohet me këtë tendencë, rikthejmë masat shtrënguese

Përditësimi i fundit: 15/05/2020 - 11:19
Text size Aa Aa

Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë shënuar 18 raste të reja me COVID-19 në 219 testime të kryera, Në komunikimin e përditshëm me publikun, Silva Bino, përgjegjëse e departamentit të sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik bëri me dije se 7 raste janë zbuluar në Durrës, në një fasoneri, raste kontakti me të prekur; 5 raste në Berat, gjithashtu kontakte të një rasti të mëparshëm, mes të cilëve një personel mjekësor, 2 raste në Krujë, 4 raste në Tiranë, të gjitha kontakte të të prekurbe me COVID-19.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, situata në spitale paraqitet e qëndrueshme me 19 qytetarë të shtruar, prej të cilëve 4 janë në terapi intensive.

Deri tani janë kryer rreth 12 mijë testime dhe kanë kaluar mbi 900 raste pozitive nga fillimi i epidemisë, ndërsa aktualisht janë 180 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Krujë, Shkodër, Kamëz, Durrës dhe Berat.

Duke ngritur shqetësimin për rritjen e rasteve pozitive në ditët e fundit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes, Sociale Ogerta Manastirliu kërkoi nga qytetarët respektimin e rregullave për të mos u kthyer në gjendjen e mëparshme.

“Ekspertët tanë e kanë thënë që në kryer të herës. Faza e lehtësimit merr kuptim vetëm nëse shoqërohet me një ulje të qëndrueshme të numrit të infektimeve. Plani i lehtësimit të masave varet vetëm nga bashkëpunimi me ju. Është e vërtetë që ndëshkimet nuk janë zgjidhja, por është po aq e vërtetë se nuk mund të penalizohet një popull i tërë nga një pakicë, veprimet e së cilës mund të shkaktojnë dëme të pallogaritshme”, tha Manastirliu.

Duke deklaruar se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mbështet planin e hapjes dhe lehtësimin e masave, Manastirliu deklaroi se nëse do të vijojnë rritje të rasteve, sipas skenarëve, mund të përdoren frenat e emergjencës.

“Rritja në këto shifra e rasteve të reja është maksimumi i lejuar nga skenarët tanë të hapjes. Rritja e mëtejshme do të na detyronte të ndërmerrnim hapa të menjëhershëm për të mos lejuar një valë të dytë goditëse, që do të hidhte në erë atë që është arritur deri më sot. Nëse do të vazhdohet me tendencën përkeqësuese të ditëve të fundit, do të jemi të detyruar të bëjmë hapa pas. Dhe kjo nuk është në interes të askujt! Sigurisht nuk ka vend për alarm, por jemi në një moment ku kërkohet përgjegjshmëri nga çdo qytetar. Mbrojtja e shëndetit të qytetarëve është mbi gjithçka. Ditët në vijim do të jenë vendimtare për planin e ri-hapjes”, tha Manastirliu.

COVID-19 – Statistika (15 Maj 2020)

Testime totale 11988

Testime molekulare 11458

Testime serologjike 530

Raste pozitive 916

Raste të shëruara 705

Raste Aktive 180

Humbje jete 31 (Qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:

Tiranë 77

Krujë 46

Shkodër 16

Kamëz 12

Berat 10

Durrës 9

Fier 5

Elbasan 2

Kurbin 1

Mirditë 1

Korçë 1

 

Tregime të lidhura