Aktualitet

Ervin Goci: Bashkia vendosi shembjen e Teatrit Kombëtar me akt-ekspertizë të falsifikuar

Përditësimi i fundit: 15/05/2020 - 09:31
Text size Aa Aa

Aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar pretendojnë se Bashkia Tiranë ka miratuar shembjen e teatrit me një akt-ekspertizë inxhinierike të falsifikuar.

Ervin Goci, pedagog dhe njëherësh aktivist i Aleancës, foli për Euronews Albania duke këmbëngulur se pavarësisht kërcënimeve për ndjekje penale, askush nuk mund t’i mohojë qytetarëve të drejtën për të protestuar.

“Pasi u njohëm me dokumentet, në një kohë kur gjithçka është bërë fshehtas, na del se akt-ekspertimi inxhinierik i 13 majit, është i falsifikuar. Ka firmat e 3 personave që nuk kanë qenë te akt-ekspertimi i parë dhe nuk kanë qenë kurrë në teatër, ndërsa këta shprehen se kanë parë strukturën dhe teatri është për shembje,” – tha Goci teksa shtoi se rasti është i ngjashëm me akt-ekspertizën e 2 viteve më parë ku në të, sipas tij, kishin hedhur firmën 3 inxhinierë pa licencë.

Pedagogu i Shkencave të Komunikimit në Fakultetin Filologjik e përshkroi protestën për teatrin si kauzë të drejtë. Ai tha se prej vitit 2018 autoritetet “kanë provuar lloj-lloj manovrash dhe mashtrimesh”, por “të gjitha janë demaskuar”.

“Nja dy aktorë na paskan kërkuar rotativë dhe befas 30 milionë euro projekt falimenton për 100 mijë euro, këto janë gënjeshtra fyese,” – ironizoi Goci pretendimet e dy muajve më parë nga Bashkia Tiranë për arsyet e prishjes së ujdisë me privatët për ta ndërtuar teatrin e ri me skemë partneriteti publik-privat.

I pyetur nëse e dëmton kauzën përfshirja e opozitës, Goci tha se jo. Sipas tij përfshirja e tyre nuk intimidon askënd të thotë atë që mendon.

“Këtu gjen njerëz nga të gjitha fushat dhe këndvështrimet politike, gjen të Vetëvendosjes, ambientalistë, aktivistë të lirë, banorë të Unazës së Madhe, studentë, ish-të përndjekur, qytetarë të thjeshtë,” – u shpreh Goci teksa këmbënguli se të gjithë kanë liri për t’u shprehur kundër asaj që ai e konsideroi si “mësymje ndaj demokracisë”.

Pak ditë më parë, Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj iu drejtua aktivistëve të Aleancës me një mesazh kërcënues duke pretenduar se të gjithë do të përfundojnë në burg pasi kanë uzurpuar një godinë publike dhe kanë vënë në rrezik trashëgiminë kulturore të saj.

Përveç këtij pretendimi, gjendja nën pandemi ka detyruar autoritetet të vendosin masa kufizuese, të cilat dënohen me gjobë deri në burg.

Por përballë kësaj situate Goci u shpreh i vendosur se aktivistët nuk ndihen të frikësuar.

“Më thoni ju mua, kur në këtë shoqëri ligjet bëhen në atë mënyrë që të më dëmtojnë ekonomikisht, të cenojnë identitetin tim, që të mos më lënë të protestojnë, atëherë sigurisht që protesta ime do të jetë edhe kundër këtyre,” – u shpreh Goci duke theksuar se të drejtën për të protestuar nuk mund ta mohojë dot askush.

 

Lexoni gjithashtu:

‘Europa Nostra’ kundër shembjes së Teatrit: Monument që mbrohet nga ligji kombëtar, shoqëria civile dhe ekspertët

FOTO l Shembja e teatrit, Basha: Kush merr pjesë, përgjigjet para ligjit

Altin Basha tregon arsyet pse është pro shembjes së Teatrit, i rikujton PD-së Piramidën

Policia e Durrësit ndëshkon kreun e PD-së për takimin me biznesin, Bylykbashi: Hakmarrje politike

Tregime të lidhura