Aktualitet

Albin Kurti: Ata që përfitojnë sot nga shembja e Teatrit, nesër do të humbin

Përditësimi i fundit: 17/05/2020 - 17:13
Text size Aa Aa

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dënuar shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar në Tiranë, duke theksuar se është bërë për interesa që lidhen me persona të veçantë. Kreu i qeverisë së Kosovës bën thirrje për rezistencë duke thënë se ata që po fitojnë sot, nesër do të humbin.

Reagimi i Kurtit:

Ne duhet të jemi mbrojtësit e çdo cepi të kulturës sonë. Një pjesë e saj na është vjedhur nga pushtuesi serb – 1.200 artefakte kulturore të Kosovës. Një pjesë tjetër na është shtypur e ndrydhur nga diktatura e ideologji, na është sulmuar nga akademitë e fqinjëve, na është shitur e rrënuar prej paditurisë zyrtare a korrupsionit institucional.

Arkiva e një populli, kujtesa e tij, duhet të mbahet e paprekur nga regjimet. Kultura është krijuar nëpër historitë e regjimeve, por në thelb të saj është krijimtaria dhe aderimi i një populli.

Kur shembet një monument kulture, kjo nuk ndodh si pasojë e një gjykimi të pjesshëm, që vjen prej shijes së veçantë të dikujt, por prej interesave të përkohshëm që lidhen me përfitimet e disave.

I përshëndes dhe i mbështes tërë artistët dhe qytetarët e Tiranës që e mbrojtën kaq gjatë Teatrin Kombëtar. Kur ndodhin humbje, ngjarjen sa edhe vetë humbja, e shënon në histori rezistenca. Në rezistencë mësojmë, e meqë nuk i harrojmë ato mësime, ata që sot përfitojnë, nesër humbin, kurse ata që humbin fitojnë.

Tregime të lidhura