Aktualitet

Shembja e Teatrit Kombëtar, Veliaj: Vendimi më i vështirë i jetës, mbrojtëm jetën e artistëve protestues

Përditësimi i fundit: 17/05/2020 - 15:02
Text size Aa Aa

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në reagimin e parë pas shembjes së Teatrit Kombëtar ka kërkuar bashkëpunim me artistët që e kundërshtonin këtë ide, për realizimin e planit të teatrit të ri. Z. Veliaj e konsideroi si vendimin më të vështirë të jetës shembjen e godinës, por theksoi se ka qenë vendim i drejtë.

“Me zemër në dorë, dua t’u shtrij dorën që këtë projekt ta bëjmë më të mirë. Në finale do të triumfojë produkti. Vendimi më i vështirë i jetës sime. Gjëja e drejtë do të gjykohet me gjakftohtësi më vonë”, u shpreh kryebashkiaku duke kërkuar që të bëhen bashkë.

“Teatri i vjetër iku, ka ardhur koha që të bëhemi bashkë. Nuk mbaj mend kur kemi bërë një projekt të madh në Tiranë që nuk është kundërshtuar”, deklaroi z. Veliaj duke përmendur projektin e parkut të lojërave në Liqenin Artificial, ndërtimin e sheshit “Skënderbe”, “Pazarin e Ri”, që janë kundërshtuar fillimisht ndërsa tani i shijojnë të gjithë.

Për godinën e vjetër të Teatrit Kombëtar, kreu i Bashkisë së Tiranës tha se, raporti i Institutit të Ndërtimit që e klasifikonte si ndërtesë të rrezikshme u konfirmuar nga shembja. Z. Veliaj gjithashtu tha se, godina nuk ka qenë Monument Kulture dhe as në listën e ndërtesave të mbrojtura.

“Instituti i Ndërtimit e vlerësoi në vitin 2018 si ndërtesë të amortizuar. Kjo u pa nga rënia e lehtë sot me prekjen më të parë. I gjithë populit, tallash, teneqe, nuk kishte beton dhe çelik. Nuk ka qenë kurrë Monument Kulture, në 2007 u hoq dhe si mundësi që të hynte ndonjëherë, duke e cilësuar krejt të pavlerë. Ndërtesa nuk ka qenë kurrë në listën e ndërtesave të mbrojtura”, tha ia.

Madje, z. Veliaj listoi si argument pro shembje dhe mbrojtjen e jetës së artistëve që qëndronin brenda godinës. "Në  momentin që u bëmë pronarët e rinj të kësaj ndërtese, nëse do t’u ndodhet diçka secilit prej atyre që okuponte atë pronë publike në mënyrë të padrejtë, gjatë protestës prej 2 vite e gjysmë, do të rrezikonte jetën, përgjegjës do të ishte pronari i asaj prone që ka lejuar të tjetër që të futen aty", tha ai.

Z. Veliaj tha më tej se gjatë negociatave ka zhvilluar 12 takime të hapur dhe qindra takime individuale me artistë të ndryshëm, duke thënë se në negociata një  palë nuk mund t’i marrë të gjitha.

“Fillimisht nuk u preferua një teatër që të kishte një kullë sipër, qeveria dhe bashkia u tërhoqën. Pastaj kishte dhe një pjesë tjetër që kjo të mos bëhej as nga privati dhe kur artistët kërkuan më shumë seç ishte në gjendje të bënte privati, atëherë thamë do ta financojmë vet. Nuk mund ta kemi teatrin, pa kullë, pa privatin me paratë publike dhe të ruajmë të vjetrin”, përfundoi kreu i bashkisë.

Tregime të lidhura