Aktualitet

Fëmijët autikë në karantinë, izolimi i ka bërë më agresivë, prindërit të pashpresë për t’i qetësuar

Përditësimi i fundit: 22/05/2020 - 12:47
Text size Aa Aa

“Ajo nuk e di çfarë është të rrish në shtëpi, del deri te dera, e kemi të mbyllur qan. Edhe kopsht nuk ka tani edhe terapi jo, çfarë do t’i bësh ti…Sado të mundohesh si nënë, ajo të njeh si nënë, nuk të njeh si mësuese, nuk të njeh si terapiste. Po harrove të merresh me të, fillon të qajë nuk e qetëson asgjë. Rri pa ngrënë gjithë ditën po nuk ja dhe atë që do ajo vetë, jo çfarë do ti”.

Ky është rrëfimi i një nëne, fëmija e së cilës vuan nga autizmi. Vështirësitë që këta fëmijë duhet të përballojnë janë të mëdha, por karantina duket se ua ka përkeqësuar edhe më shumë gjendjen, sipas prindërve të tyre.

“Si e qetësoni? E presim qan e qan derisa të pushojë nuk kemi çfarë të bëjmë. Përplas tavolina, karrike, është e vështirë. Pa terapi nuk mundem, ajo sikur ka orë në dorë, e di orarin dhe thotë karroca, karroca, del jashtë bëhet agresive”, tregon ajo.

Shpenzimet për kujdesin e vajzës janë të mëdha e ndërsa të ardhurat mungojnë, sidomos tani që të dy prindërit janë të papunë nga COVID-19. Askush nuk e kishte menduar se me ardhjen e saj mes tyre, jeta do iu merrte këtë kthesë.

“Ne kujtuam se nuk dëgjonte, në atë moment shkuam me ORL, na thonë që fëmija dëgjon dhe na çojnë në një psikologe. Atje na drejtojnë tek qendra e Kombinatit. Aty i bëjmë një test dhe doktoresha thotë që vajza është më autizëm”, tregon nëna.

Tashmë, përveç problemeve me të cilat iu duhet të përballen brenda mureve të shtëpisë, jeta jashtë është një sfidë më vete.

Edhe pse dita-ditës kemi lehtësime të masave, nevoja më e madhe për këtë familje, është hapja e qendrave që ofrojnë terapi zhvillimi për fëmijë që vuajnë nga çrregullime të ndryshme. Por, sa kohë që virusi vazhdon të jetë i pranishëm, ende nuk ka një datë hapjeje për këto qendra të specializuara.

Tregime të lidhura