Aktualitet

Ambasadorja e SHBA rikthen Bashën dhe Ramën në tryezën për reformën zgjedhore

Përditësimi i fundit: 22/05/2020 - 15:05
Text size Aa Aa

Pas deklaratës së ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim se, partitë politike duhet t’u japin fund lojërave dhe të çojnë përpara reformën zgjedhore, kreu i mazhorancës dhe opozitës duke se kanë gjetur “konsensusin” për vijimin e tryezës së Këshillit Politik, pavarësisht ‘krizës’ që shkaktoi shembja e godinës së Teatrit Kombëtar.

Fillimisht, ishte kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili në një deklaratë për mediat bëri të ditur se, opozita nuk e ka braktisur tryezën. Z. Basha hodhi akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama, duke thënë se, synon të shkatërrojë reformën zgjedhore duke marrë peng të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

“Loja e Edi Ramës me shpresën se duke shkatërruar Teatrin Kombëtar do të shkatërronte dhe reformën zgjedhore dhe të merrte peng procesin e integrimit tani doli zbuluar. Të gjithë e kanë parë këtë plan mafioz, që ka për qëllim të pengojë reformës zgjedhore dhe integrimin e vendit”, tha Basha.

“Ne jemi të vendosur që të mos e lejojmë këtë. Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar është e vendosur që t’i japë mundësinë shqiptarëve një orë e më parë garancitë për t’iu drejtuar kutive të votimit dhe për t’u bashkuar në një votë plebishitare për të larguar këtë të keqe. Ne nuk do ta braktisim reformën zgjedhore. Nuk jemi larguar asnjëherë që tani të rikthehemi. Nuk e kemi braktisur asnjëherë tryezën”, ka shtuar kreu i PD.

Pak pas kësaj deklarate reagoi menjëherë ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim duke e shpërndetur zotimin e z. Basha për përfundimin e reformës zgjedhore dhe kërkoi që dhe liderët e tjerë të tregojnë të njëjtën aftësi drejtuese. “Ne mirëpresim vendimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për të përmbyllur reformën elektorale. Presim që edhe liderët e tjerë të tregojnë të njëjtën aftësi drejtuese”, shprehet ambasadorja.

Deklarata e kreut të PD u përshëndet dhe nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, duke theksuar se reforma zgjedhore i hap rrugën hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. “Mirëpresim vendimin e Lulzim Bashës për të rifilluar punën për reformën zgjedhore në Këshillin Politik. Kjo i shërben interesit më të madh të Shqipërisë dhe kontribuon në përmbylljen e reformave të rëndësishme pa shtyrje të mëtejshme në plotësimin e kushteve të vendosura nga këshilli i BE në fund të marsit”, deklaron ambasadori Soreca.

Kjo pasoi më pas me reagimin e kryeministrit, Edi Rama, i cili nga ana e tij shprehet se këtë herë shpreson që t’i jepet fund procesit të zgjatur të reformës zgjedhore. “Kthimi i opozitës jashtëparlamentare në tryezën e Reformës Zgjedhore një kthesë për t'u përshëndetur! Më mirë vonë se kurrë dhe inshallah këtë herë deri në mbylljen e këtij procesi të stërzgjatur, sepse koha nuk pret dhe me vullnet të mirë mund të arrihet shpejt në konsensus”, është shprehur kreu i qeverisë.

Deklarata e z. Basha është mbështetur dhe nga aleati i tij në opozitë, LSI. Kryetarja, Monika Kryemadhi ka deklaruar se, qëndrimi i Bashës ishte për të gjithë opozitën e bashkuar. “Përmbushja e të gjitha detyrimeve ndaj reformës zgjedhore ka qenë dhe mbetet prioriteti im si Kryetare e LSI-së, ndaj do të vazhdoj të bëj të gjithë presionin e nevojshëm, që ajo të realizohet me konsensus dhe sa më parë, si kusht i rëndësishëm për të rikthyer legjitimitetin e vullnetit të qytetarëve shqiptarë”, shprehet kryetarja e LSI-së.