Aktualitet

Festa e Fitër Bajramit, Edi Rama njofton hapjen e tempujve fetarë javën që vjen

Përditësimi i fundit: 23/05/2020 - 12:47
Text size Aa Aa

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar mbi deklaratat e nënkryetarit të LSI-së, Petrit Vasili, i cili ftoi besimtarët që të mos i binden urdhrit të nxjerrë nga shefi i qeverisë, por të shkojnë dhe të falin namazin e Fitër Bajramit.

“Komitët patriotë dhe parimorë të Shqupit e të Lalzit, që prej vitesh përleshen për popullin e shtypur dhe shfaqen si çeta e Shahin Verdhës së Vitit të Mbrapshtë, herë me molotov e me gurë, herë me mandatin e djegur e herë me kafkën e Hamletit në dorë, kudo e kurdo ne të tjerët përpiqemi të ndryshojmë për mirë Shqipërinë e të ndërtojmë vepra të reja, pasi sakrifikuan jetën e tyre në mbrojtje të Karakatinës së Teatrit Kombëtar, janë ringjallur si ndjekës të flaktë të profetit për të nxitur komunitetin musliman t'u bashkohet Revolucionit të tyre Imagjinar për Bajram. Zoti u ktheftë ndonjë pikë nga vaji i kandilit të arsyes që u ka shterrur krejt, se tjetër derman për ta kjo tokë nuk ka përveç keqardhjes e mëshirës për lajthitjen e tyre”, shkruan Rama.

Kreu i mazhorancës shprehte se, nga java e ardhshme do hapet aktiviteti i tempujve fetarë. Ai i uroi besimtarët myslimanë për Fitër Bajramin, ndërsa shtoi se beson fort që hapja e xhamive do të shërbejë si ogur paqeje e mirësish për komunitete fetare dhe për të gjithë Shqipërinë.

“Pasi kemi bashkëpunuar këto javë me komunitetet fetare dhe kemi përgatitur protokollet e sigurisë shëndetësore, duke marrë, vlerësuar e miratuar propozimet e tyre, jemi gati të vendosim çeljen e aktivitetit të tempujve nga java e ardhshme, me të gjitha kufizimet përkatëse, duke e nisur nesër me këmbë të mbarë e me bekimin e dritës së ditës së bukur të kalendarit të besimit.

Duke ju uruar megjithë zemër bajramin besimtarëve muslimanë, uroj edhe që hapja e xhamive (nën kujdesin e madh të drejtuesve shpirtërorë të komunitetit për respektimin e protokollit të propozuar prej vetë atyre) të jetë një ogur i mirë paqeje e mirësish, për të gjitha komunitetet dhe vetë Shqipërinë e shqiptarët në këtë kohë jo të lehtë”, shkruan më tej Rama.

Lexoni gjithashtu: 

Rama njoftoi kufizime për fundjavën, Vasili thirrje qytetarëve: Mos u bindni, faleni Bajramin!