Aktualitet

Meta mesazh drejtësisë me fjalët e Falcone: Kush hesht dhe ul kokën, vdes sa herë e bën këtë gjë

Përditësimi i fundit: 23/05/2020 - 13:31
Text size Aa Aa

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka përçuar një tjetër mesazh të rëndësishëm për drejtësinë shqiptare. Kreu i shtetit ka kujtuar sot gjykatësin e jashtëzakonshëm italian, Giovanni Falcone, i cili njihet ndryshe si “Heroi i Antimafias”.

Meta shkruan se edhe pse u vra nga mafia, Falcone e dërrmoi atë më shumë me mesazhin që u la “amanet” bashkëpunëtorëve të tij.

“Kush hesht dhe ul kokën, vdes sa herë e bën këtë gjë. Kush flet dhe ecën me kokën lart, vdes vetëm një herë”. Sot kujtojmë me nderim të jashtëzakonshëm Giovanni Falcone, Heroin e Antimafias, i cili edhe pse u vra nga mafia, e dërrmoi atë më shumë me mesazhin që u la “amanet” bashkëpunëtorëve të tij, si Paolo Borsellino e shumë të tjerë, të cilët rivendosën forcën e shtetit ligjor dhe rikthyen besimin e qytetarëve te Drejtësia”, shkruan Meta.

Presidenti ka kritikuar ashpër prishjen e Teatrit Kombëtar dhe për këtë ka bërë përgjegjëse qeverinë dhe bashkinë e Tiranës. Në një reagimin e tij të parë pas shembjes së Teatrit, Meta u shpreh se, godina u rrafshua me urdhër të “mafias”.

“Pak orë më parë, në kulmin e errësirës, MAFIA urdhëroi shkatërrimin, jo vetëm të një prej monumenteve të trashëgimisë kulturore më të rrezikuara të Europës, por edhe të çdo iluzioni për ekzistencën e shtetit të së drejtës në Shqipëri”, shkroi Meta.

Më 23 maj 1992 në Siçili të Italisë, gjykatësi më i njohur italian i antimafias, Giovanni Falcone, gruaja e tij dhe tre truprojat u vranë me bombë nga klani i Cosa Nostra-s. Miku dhe kolegu i tij, Paolo Borsellino do të vritej më pak se dy muaj më vonë, duke e bërë vitin 1992 një pikë kthese në ndjekjen penale të mafias italiane.

Lexoni gjithashtu: 

Ilir Meta i ashpër: Mafia urdhëroi shkatërrimin e Teatrit, krim i paamnistueshëm

“Europa Nostra” mesazh Metës për çështjen e Teatrit Kombëtar

“Hetim ndërkombëtar për Teatrin”, Ilir Meta zbulon lëvizjen e radhës