Aktualitet

PD dhe LSI letër Gjiknurit dhe Hajdarit, kërkojnë takim për reformën zgjedhore

Përditësimi i fundit: 23/05/2020 - 10:57
Text size Aa Aa

Përfaqësuesit e opozitë jashtëparlamentare në Këshillin Politik për reformën zgjedhore kanë propozuar që mbledhja e radhës për këtë çështje të mbahet ditën e hënë. Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi dhe ai i LSI-së, Petrit Vasili u kanë dërguar një letër përfaqësuesve të tjerë në këtë tryezë si Damian Gjiknuri nga PS dhe Rudina Hajdarit nga radhët e opozitës parlamentare.  

Krahas kësaj, ata kanë vënë në dijeni për këtë vullnet edhe partnerët ndërkombëtarë si SHBA, BE, OSBE dhe KiE

“Reforma aktuale ka filluar me kërkesë të Opozitës në 2017 dhe falë veprimeve të njëanshme për minimin e saj nga shumica qeverisëse, ka qene e pamundur përmbyllja e saj”, thuhet në letër.

Dy partitë aleate shkruajnë se rifillimi i procesit të dialogut më 11 maj për reformën zgjedhore është goditur nga deklaratat dhe veprimet nga ana e mazhorancës, të cilat sipas saj kanë shkaktuar një krizë politike. Opozita e bashkuar shprehet se do të vijojë betejën e saj për t’u siguruar shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Rifillimi i procesit më 11 maj është goditur vazhdimisht nga deklarata dhe veprime që kanë shkaktuar krizë politike e që, qartazi, kanë patur si qëllim shkatërrimin e këtij procesi jetik politik. Por, pavarësisht këtyre veprimeve të qëllimshme, Opozita e Bashkuar nuk do të heqë dorë nga objektivi i saj për të përmbushur pa vonesë obligimin e saj para shqiptarëve për zgjedhje demokratike”, thuhet më tej.

Pavarësisht vullnetit për t’u ulur në tryezë, duket se gjuha e kompromisit mes palëve politike mbetet ende larg. Në letrën drejtuar Gjiknurit dhe Hajdarit, opozita jashtëparlamentare thekson se, deklaratat e mazhorancës se është gjetur gjuha e kompromisit për një sërë çështjesh, janë thjesht të pavërteta.

“Deklarimet tuaja se është gjetur kompromisi për një sërë çështjesh janë të pavërteta dhe synojnë vetëm fshehjen e të vërtetës që deri më sot nuk ka kompromis për çështjet themelore, për të cilat Opozita e Bashkuar ka paraqitur propozime konkrete”, theksohet më tej.

Kjo lëvizje e opozitës jashtëparlamentare vjen pas deklaratës së kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili pohoi dje para mediave se opozita nuk e ka braktisur asnjëherë tryezën e reformës zgjedhore. Deklarata e tij u përshëndet nga SHBA, BE dhe nga vetë kryeministri i vendit, Edi Rama.

WhatsApp-Image-2020-05-23-at-10.24.31.jpeg?t=1590219467