Aktualitet

Rama njoftoi kufizime për fundjavën, Vasili thirrje qytetarëve: Mos u bindni, faleni Bajramin!

Përditësimi i fundit: 23/05/2020 - 08:38
Text size Aa Aa

Kryeministri i vendit, Edi Rama, njoftoi mbrëmjen e djeshme se kjo fundjavë do të këtë rregulla të njëjta si ajo e kaluar, me kufizime oraresh dhe dalje vetëm për pensionistët e prindërit me fëmijët sipas fashave të orarit.

“Kjo fundjavë do të vijojë njësoj si e shkuara. Ta kaloni sa më qetë”, shkroi Rama në “Facebook”.

Kjo pengesë e diktuar nga kryeministri është kundërshtuar nga nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili. Ai ftoi qytetarët që mos t’i binden këtij urdhri dhe të falin festën e Fitër Bajramit.

Me një shënim në faqen zyrtare në “Facebook”, Vasili shkruan se Edi Rama me 1500 policë sup më sup dhunoi të dielën më 17 maj të gjitha rregullat e pandemisë për të prishur godinën e Teatrit Kombëtar.

“Mos ju bindni, bëjeni faljen e Bajramit!!Edi Rama me 1500 policë sup më sup dhunoi të dielën më 17 maj të gjitha rregullat e pandemisë për të prishur Teatrin.

S’mund të guxojë të ndalë Faljen e Bajramit. S’ka dy palë rregulla një palë për popullin një palë për Edi Ramën. Akti Normativ ka zero vlerë, se zero e bëri vetë Edi Rama. Mos ju bindni!! Ky është mashtrim s’ka asnjë lidhje me pandeminë!! Ky është gjynah që s’ka falje!! Besimtarë myslimanë bëjeni faljen e Bajramit!!”, shkruan  Vasili.