Aktualitet

Mijëra qytetarë kërkojnë krijimin e regjistri publik për abuzuesit seksualë

Përditësimi i fundit: 03/06/2020 - 20:49
Text size Aa Aa

Mijëra qytetarë kanë nisur të nënshkruajnë një peticion ku kërkohet krijimi dhe publikimi i një regjistri me emrat e abuzuesve seksualë, nisur nga rasti më i fundit, ku një 65-vjeçar ka abuzuar seksualisht me një vajzë të mitur, rreth 10 mijë qytetarë kanë firmosur një peticion

Peticioni i drejtohet Ministrisë së Drejtësisë. Argumenti kryesor për regjistrin publik, është se kjo praktikë e ndjekur në vende të tjera perëndimore kanë parandaluar rastet e përsëritura si dhe krijon një mjedis miqësor për viktimat si dhe inkurajon që të bëjnë denoncim në kohë.

“Propozojmë që lista vendore e emrave të regjistruar si abuzues seksualë të koordinohet nga organet kompetente si Policia e Shtetit dhe Ministria e Drejtësisë dhe të lejojë çdo qytetar të kërkojë të dhënat e dhunimit bazuar në identitetin dhe vendndodhjen e çdokujt. Publikimi i listës është praktikë e njohur ndërkombëtare. Le t'i minimizojmë si shoqëri këto fenomene të ndyra. Le të sigurohemi që asnjë abuzues nuk do kërcënojë më një viktimë”, thuhet në peticion.

Më tej thuhet se, mijëra vajza e gra, por edhe djem dhe burra, dhunohen seksualisht, abuzohen e përdhunohen dhe duke qenë se drejtësia dhe shteti has vështirësi për të dënuar abuzuesit dhe përdhunuesit, listat e personave që kanë abuzuar seksualisht apo kanë përdhunuar të vihet në dispozicion të çdo qytetari.

“Duke treguar publikisht identitetin e përdhunuesve, ne nuk mund të kthejmë kohën prapa dhe të shpëtojmë viktimat e tyre nga kthetrat e abuzuesve. Ajo që mund të bëjmë është t'i ofrojmë të miturve, adoleshentëve, të rriturve, prindërve të fëmijëve, dhe çdo personi të çdo moshe, gjinie e demografie, një shans për një jetë më të sigurtë.

Fatkeqësisht, deri në momentin që rastet e abuzimit seksual denoncohen ose bëhen publike, është tepër vonë. Abuzuesit shpesh herë kanë histori abuzimi të njohur nga bashkëqytetarët e tjerë”, thuhet ndër të tjera në peticion.

Lexoni gjithashtu:

Mesazhet në muret e Tiranës kundër dhunës seksuale: Ti ke motra, nuk je vetëm!

'Abuzimi me të miturën, dështim i protokolleve', Hysi: Policët në shkolla të bashkëpunojnë me mësuesit

Majlinda Bregu: Abuzuesit me fëmijët s’mund të përfitojnë ulje dënimi