Aktualitet

Nisma e re e qeverisë për pronat në bregdet, ndalohen të gjitha ndërtimet përveç PPP-ve

Përditësimi i fundit: 18/06/2020 - 11:55
Text size Aa Aa

Çdo ndërtim në bregdet do të ndalohet me ligj, përveç PPP-ve.

Qeveria ka dërguar për konsultim publik një projektligj i cili parashikon vendosjen nën një regjimi strikt ligjor të gjithë vijnë bregdetare shqiptare.

Këtë gjë, qeveria parashikon ta bëjë duke forcuar Agjencinë Kombëtare të Bregdetit, institucion i cili do të merret që nga detyrat rutinë, si qiradhënie e plazheve apo pastrimin e tyre, e deri tek administrimi i pronave nëpërmjet mekanizmave ligjore për të favorizuar investime strategjike.

Kreu i fundit i këtij drafti që po transmeton Euronews Albania flet për dispozitat e fundit dhe kalimtare, ku mesa duket nuk është i fundit për nga rëndësia, pasi trajton një nga aspektet më sensitive dhe problematike, atë të pronësisë.

Neni 21 flet për një mekanizëm ligjor që shteti ka parashikuar këtu e shumë vite para, ‘servituti’. Sipas dispozitës, ‘servituti’ publik është barra që i ngarkohet pronës private, e ndodhur në bregun e detit, për interes publik.

Në këtë nen sanksionohet se ‘servituti’ publik përcaktohet nga plani i menaxhimit të bregut të detit ose diktohet nga një kërkesë për përdorim apo ndërtim për interes publik.

Por me këtë ligj, të vetmet ndërtime që lejohen janë kontratat koncesionare nëpërmjet PPP-ve apo ato që konsiderohen si investime strategjike.

Kreu i fundit parashikon gjithashtu se çdo ‘servitut’ publik, i vendosur mbi prona të caktuara, transferohet në pronat e reja të krijuara në të njëjtën vendndodhje fizike, si pasojë e një procesi nënndarjeje ose bashkimi të pronave për qëllim zhvillimi dhe se 'servituti' publik qëndron në fuqi pa afat në rast se akti që e krijon atë nuk përcakton një afat përfundimi.

Bregdeti mund të konsiderohet si një minierë ari e pashtershme nëse mund të shfrytëzohet në mënyrën e duhur dhe shteti mesa duket kërkon të vendosë të gjithë autoritetin e tij në vijën bregdetare.

Drafti parashikon gjithashtu se për ndërtimet ekzistuese në bregun e detit, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të bëhet verifikimi i dokumentacionit përkatës, ku së bashku me to do të fusë nën sitë edhe kontratat në fuqi që shteti ka me privatin në bregdet dhe ato që do të rezultojnë të sakta, do të qëndrojnë në fuqi deri në përfundimin e afatit.

Por edhe nëse pronari i pronës në bregdet do të kërkojë ta shesë atë, sërish do të duhet të përballet me shtetin. Por me ligj është parashikuar se shteti gëzon të drejtën e parablerjes, pra klienti i vetëm i tij është institucioni shtetëror.

Ky projektligj vjen në një kohë kur Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit ka nisur aksionin për shembjen e godinave pa leje në bregdet dhe ku ka pasur shumë përplasje me banorët e zonës.

Tregime të lidhura