Aktualitet

Përfundon gjendja e fatkeqësisë natyrore për COVID-19, juristi Braho: Ç’kuptim ka kjo në aspektin juridik

Përditësimi i fundit: 23/06/2020 - 12:39
Text size Aa Aa

Dita e sotme shënon fundin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, e cila u miratua dy muaj më parë nga Kuvendi i Republikës për të përballuar pandeminë globale të COVID-19.

Pavarësisht kësaj, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se disa kufizime janë ende në fuqi dhe qytetarët nuk mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për protesta apo tubime masive.

Por, juridikisht çfarë do të thotë përfundimi i gjendjes së fatkeqësisë natyrore? Euronews Albania zhvilloi një bisedë me juristin Ledio Braho, i cili tha se ndalimi i protestave apo i tubimeve është akt antikushtetues, ndërsa shtoi se qeveria po përfiton padrejtësisht nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese.

“Gjendja e fatkeqësisë u vendos me vendime të Këshillit të Ministrave, më tej u miratua dhe u shty me ligji nga Parlamenti dhe sot i përfundonte afati i shtyrjes dy mujore, që ishte deri më 23 qershor.  Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, për vendosjen e fatkeqësisë natyrore ishin një sërë të drejtash dhe lirish që kufizoheshin.

Janë disa urdhra, disa kufizime që vendosen në bazë të ligjit të parandalimit për përhapjen e sëmundjeve infektive. Siç duket, problemi është se ndalohen tubimet dhe grumbullimet. Duket se i gjithë qëllimi i mazhorancës është që të ndalojë grumbullimet masive”, tha ai.

Ai theksoi se me rënien e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, qeveria shqiptare nuk duhet të pengojë kurrsesi tubimet dhe protesta paqësore të qytetarëve. Sipas tij, aktet e qeverisë gjatë kësaj periudhe janë karakterizuar nga një mungesë e madhe koherence.

“Ka një mungesë koherence sa i përket akteve që nxjerrë qeveria, konkretisht Ministria e Shëndetësisë. Pra, çdo gjë lejohet, por ndalohen grumbullimet masive.  Nga ana ligjore ministrja e Shëndetësisë e mbështet me faktin se është e drejtë e saj në bazë të ligjit për parandalimin e përhapjes  së sëmundjeve infektive, por njëkohësisht duhet të kemi parasysh se kushtetuta garanton lirinë e tubimeve, çka në rasatin konkret nuk garantohet se ndalohet me urdhrin e ministrit", tha ai.