Aktualitet

Euronews Albania shpjegon pse kufijtë e BE mbeten të mbyllur për shqiptarët

Përditësimi i fundit: 29/06/2020 - 09:36
Text size Aa Aa

BE pritet të hapë kufijtë me 14 shtete jashtë bllokut më datën 1 korrik. Por kjo marrëveshje nuk përfshin Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Serbia dhe Mali i Zi bëjnë përjashtim, dhe pse BE kishte propozuar të hapeshin kufijtë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Por kufizimet do të mbeten edhe pas datës 1 korrik.

Korrespondenti i Euronews Albania në Bruksel, Ernest Bunguri, shpjegoi në një lidhje të drejtpërdrejtë procedurën e pranimit që po vë në zbatim BE pas marrëveshjes së të premtes. Sipas kësaj marrëveshjeje, për dy javët e fundit Shqipëria duhet të ketë më pak se 13 raste të reja me COVID-19 për çdo 100 mijë banorë, në mënyrë që të hapen kufijtë. Mesatarja e Shqipërisë tani është 30.

“Ka kohë që bisedohet për një listë të gjelbër të vendeve që do të mund të udhëtojnë drejt BE-së nga data 1 korrik. BE propozoi më 11 qershor të hartojnë një listë me vendet që nuk përbëjnë rrezik për numrin e infeksioneve. Kriteri kryesor, i vendosur në marrëveshjen e ditës së premte, nuk është më 16 raste të reja brenda dy javëve për 100 mijë banorë, por mesatarja e BE-së, që është edhe më e ulët, 13. Shqipëria ka më shumë se 30 raste të reja për 100 mijë banorë, pra, dyfishi i numrit të asaj që kërkohet nga BE”, tha Bunguri.

Megjithatë as Serbia dhe as Mali i Zi nuk e plotësojnë këtë kriter.

“Por nuk është vetëm ky kriter, sepse këtë cak e kanë kaluar dhe Serbia e Mali i Zi,  të cilët numërojnë respektivisht 19, 20 raste të reja për 100 mijë banorë. Ka dhe kritere të tjera që llogariten, si masat mbrojtëse, numri i testimeve e gjurmimeve, e masa të tjera për të parë përhapjen e sëmundjes. Është edhe pjesa e kriterit shoqëror e ekonomik. Kjo u përdor për Ballkanin perëndimor. Nga marrëveshja që u arrit të premten në darkë nga ambasadorët, Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut nuk figurojnë më në lista. Pati disa lista, u diskutuan disa vende. Një herë hynin e një herë dilnin nga burime të ndryshme, nga Euronews World, por edhe nga ne. Ka pasur lëvizje të këtyre listave. Por e fundit përfshin 14 vende, plus Kinën, për të cilën pritet që të respektohet edhe pjesa e reciprocitetit. Është një marrëveshje që pritet të publikohet të martën, një ditë para një korrikut. Bëhet fjalë për një rekomandim. Nuk është një vendim i vendeve anëtare. Pra, është edhe më i dobët se një vendim. Sepse, edhe për këtë rekomandim jo të gjitha vendet anëtare janë të detyruara ta zbatojnë. Për shembull, nëse ka vende anëtare që nuk janë dakord me disa nga vende në listë, ata nuk janë të detyruar t’i hapin kufijtë për këto vende.

Megjithatë, Shqipëria mund të ketë marrëveshje specifike me vende të ndryshme. Por edhe këto marrëveshje mund të mos jenë për këdo.

“Mund të ketë marrëveshje midis dy vendeve, por duhet bërë kujdes, pasi ata mund të bëjnë marrëveshje për transportin e disa udhëtarëve, por jo të qytetarëve që duan të shkojnë me pushime. Pra, bëhet fjalë për një kufizim dhe për vazhdimin e kufizimit për udhëtimet e panevojshme. Por ka disa kategori të ndryshme që do të përjashtohen, si personeli mjekësor, punëtorët sezonalë, edhe ata që punojnë në zonat kufitare, studentët, personat që udhëtojnë për arsye të rëndësishme famljare. Ka disa kategori që do të lejohen të udhëtojnë, por duhet që qytetarët, nëse do të udhëtojnë me pushime apo thjesht për të vizituar një vend tjetër, duhet të marrin informacionin e duhur për në vendin ku po nisen, pasi mund të ketë fluturime, por jo të drejtë udhëtimi për qytetarët. Duhet të themi që masat që janë marrë për momentin do të rishikohen çdo dy javë. Nëse Shqipëria është në gjendje të ngjashme epidimiologjike në javët që do të vijnë, apo më të mirë se mesatarja e BE-së, atëherë do të hapen kufijtë edhe për Shqipërinë e vendet e tjera”, tha korrespondenti i Euronews Albania në Bruskel, Ernest Bunguri.