Aktualitet

KED gati listat e kandidatëve për dy vakanca në Kushtetuese, grup pune për rekomandimet e Venecias

Përditësimi i fundit: 30/06/2020 - 18:51
Text size Aa Aa

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) në një mbledhje të mbajtur këtë të martë ka marrë vendim për të ngritur një grup pune për rekomandimet e Komisionit të Venecias për çështjen e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese.

Në mbledhje morën pjesë Avokati i Popullit, përfaqësues të Presidentit të Republikës, përfaqësuesit të Kuvendit, si edhe të drejtueses së Euralius e OPDAT në cilësinë e institucioneve mbështetëse me konsulencë në hartimin dhe miratimin e akteve nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e KED.

Grupi i ngritur do të përbëhet nga anëtarja e KED, znj. Saida Dollani dhe anëtarja zëvendësuese znj. Marsida Xhaferllari, të cilat do të punojnë intensivisht mbi pasqyrimin e rekomandimeve të bëra nga Komisioni i Venecias në Opinionin më 19 qershor “Për Emërimin e Gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese” për sa i takon veprimtarisë së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Këto rekomandime do të pasqyrohen në aktet rregullatore të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, për të bërë të mundur vijimin e procesit në tërësi mbi përzgjedhjen e kandidaturave për vendet vakante.

KED gjithashtu se lidhur me dy vakancat e përkohshme që i takojnë Presidentit dhe Kuvendit, lista është përgatitur dhe në një kohë sa më të afërt do t’u përcillen dy institucioneve. Ndërsa lidhur me vakancën e tretë që i takon Presidentit të Republikës, nuk është përfunduar ende i gjithë procesi standard i verifikimit.

Zbatimi i rregullave për emërimet e reja në Gjykatën Kushtetuese u kthye në një mollë sherri mes Presidentit dhe Kuvendit, çështje e cila u zgjidh me opinion të Komisionit të Venecias që i dha të drejtë kreut të shtetit. Ilir Meta akuzoi se, shkeljet ishin kryer nga kryetari i KED, Ardian Dvorani, tashmë i shkarkuar nga detyra.