Aktualitet

Vizita e Ramës në Kosovë, Ardian Kastrati: Tentativë për unifikim, por nuk duket e suksesshme

Përditësimi i fundit: 30/06/2020 - 12:36
Text size Aa Aa

Prozhektorët europianë dhe ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë drejtuar qartë drejt Kosovës, sidomos pas publikimit të akuzave të Zyrës së Prokurorisë Speciale për Thaçin e Veselin, të cilët akuzohen për krime kundër njerëzimit.

Kreu i shtetit, Hashim Thaçi duke besuar tek lufta e drejtë e UÇK-së, u shpreh se bashkë me kreun e PKD-së do të dëshmojnë pafajësinë e tyre, ashtu siç kanë bërë edhe shumë luftëtarë të tjerë.

Gjatë fjalës së djeshme, z. Thaçi deklaroi se është i gatshëm të japë dorëheqjen nëse provohen akuzat e Prokurorisë. Euronews Albania për situatën e fundit në Kosovë bisedoi me politologun dhe analistin, Ardian Kastrati.

Sipas tij, publikimi i aktakuzës nuk ka goditur vetëm Thaçin e Veselin, por ka “minuar” drejtpërdrejt dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ai thotë se dialogu duhet të tërhiqet nga lokomotiva e SHBA pasi Brukseli nuk jep garanci për zgjidhje.

“Dorëheqja e Thaçit duhet të vijë nëse konfirmohet aktakuza, por nëse nuk konfirmohet nuk kemi se çfarë të flasim. Kriza tani është shumëfishuar në Kosovë pas publikimet të aktakuzës. Ky është një pamflet politik, sepse është dizajnuar që të bëhet tri ditë para dialogut. Se kush e bëri dhe kush e dizajnoi këtë proces politik është çështje tjetër. Është goditur drejtpërdrejt dialogu. Nëse SHBA, respektivisht Grenell nuk dorëzohet, atëherë ka mundësi që orbita e dialogut do të kthehet në Bruksel. Nëse kthehet në Bruksel unë nuk shoh rezultate në të ardhmen”, tha ai.

Mes tjerash, z. Kastrati foli edhe për vizitën e kryeministrit Edi Rama në Kosovë. Ai tha se qëndrimi dy-ditor i shefit të qeverisë në Kosovë ka karakter simbolik, por esencialisht tha se kjo nuk mund të arrijë një unitet kur në terrenin gjeopolitik shfaqen divergjenca të forta.

“Do të jetë një tentativë e një uniteti simbolik, formal, por esencialisht këtu nuk mund të flasim për një unitet tani e tutje. Kemi të bëjmë me një skenë aq të polarizuar që nuk e mbaj mend që nga viti 1999.  Nëse kjo ka qenë tentativa e zotit Rama, unë nuk e shoh si të suksesshme. Jam pak skeptik se çfarë efektesh do të ketë, por a duhet të ndodhte? Po, patjetër, të paktën për dërgimin e një mesazhi unifikues për botën e jashtme”, tha ai.

Lexoni gjithashtu: 

Dita e dytë në Kosovë, Edi Rama vijon takimet me aktorët politikë

Hashim Thaçi beson në pafajësi: S'kam bërë krime, jap dorëheqje nëse konfirmohet aktakuza

Rama në Kosovë, quan akuzat ndaj Thaçit 'fletë-rrufe speciale'