Aktualitet

Qeveria i bën maskat të detyrueshme, 2 mijë lekë gjobë kush nuk i mban

Përditësimi i fundit: 15/07/2020 - 15:27
Text size Aa Aa

Qeveria vendosi ta bëjë me detyrim mbajtjen e maskës në mjediset e mbyllura dhe ndëshkimin me 2 mijë lekë gjobë për ata që nuk do ta respektojnë këtë vendim.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu njoftoi të mërkurën se kjo masë do të ndihmojë në kufizimin e përhapjes së COVID-19.

“Nëpërmjet vendimit të sotëm të qeverisë dhe aktit normativ, detyrimi për përdorimin e maskave jo mjekësore/barrierave mbrojtëse për mbrojtjen ndaj transmetimit të COVID 19 do të jetë detyrim për çdo individ në të gjitha mjediset e mbyllura; në administratën publike dhe jo publike; në transportin publik; në zyra, shkallë pallati, ashensorë, në qendrat tregtare, dyqane, supermakata, tregjet dhe njësitë e shërbimit,” – tha Manastirliu në një deklaratë për shtyp.

Ministrja paralajmëroi gjobitjen me 2 mijë lekë  për ata që nuk do ta respektojnë këtë masë. Gjobat parashikohet të vihen nga policia, policia bashkiake dhe strukturat e inspektoriateve shtetërore.

Ministrja e Shëndetësisë kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për zbatimin e kësaj mase që ndërmerret me qëllim mbrojtjen e shëndetit.

Gjatë komunikimit për publikun, ajo deklaroi se sistemi shëndetësor po vazhdon përgatitjet për përballimin e situatës së pandemisë, se aktualisht ka 500 shtretër të gatshëm për pacientët e sëmurë, se janë rritur kapacitetet me respiratorë, se në dispozicion janë rreth 90 mijë teste të tjera ndërsa po punohet për të hapur një laborator të dytë në QSUT.

Manastirliu konfirmoi deklaratat e shprehura edhe në ditët e shkuara se tashmë në disa bashki të vendit përhapja e infeksionit ka kaluar në një shkallë më të rëndë, të cilën epidemiologët e klasifikojnë si “përhapje komunitare”.

Përballë kësaj situate, Ministrja tha se kishte vendosur hapjen e spitalit të dytë, COVID-2, me qëllim “përballimin e fluksit të pacientëve”.

 

Lexoni më shumë:

85 raste dhe 4 viktima nga COVID-19 në vendin tonë, ndërron jetë 21-vjeçarja

Tregime të lidhura