Aktualitet

4 viktima dhe 117 raste të tjera me COVID-19 në Shqipëri

Përditësimi i fundit: 28/07/2020 - 16:01
Text size Aa Aa

Ministria e Shëndetësisë raportoi të martën 4 viktima dhe 117 raste të tjera me COVID-19 duke e rënduar më tej bilancin e pandemisë në vendin tonë me 4997 raste dhe 148 humbje jete.

Në një konferencë për shtyp nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) Dr. Rovena Daja tha se viktimat ishin të moshave 84, 82, 77 dhe 75 vjeç nga Tirana dhe Shkodra. Të 4 ishin të shtruar në Spitalin Shefqet Ndroqi dhe dy prej tyre nuk kishin sëmundje bashkëshoqëruese.

Prej 1 korrikut në Shqipëri kanë vdekur 83 persona nga COVID-19 (56% e totalit prej 148 vdekjesh) me një mesatare 3 vdekjesh çdo ditë. Vetëm më datë 9 korrik nuk u raportua viktima, ndërsa në total ka pasur 2,335 raste të reja me mesatare 83 të infektuar çdo ditë.

Situata me të shtruarit në spitale, – Spitalin Infektiv dhe Spitalin Shefqet Ndroqi – vijon të paraqitet shqetësuese, ku aktualisht janë të shtruar 123 pacientë, 22 nga të cilët në gjendje të rëndë, 7 prej tyre me frymëmarrje të drejtuar.

Në 24 orët e fundit autoritetet thanë se kishin kryer 507 testime, nga të cilët kishin rezultuar të infektuar 117 persona – pjesa kryesore në Tiranë (58), Durrës (12), Kukës (8), Krujë (7) dhe Korçë (7).

Në këtë periudhë kohore kanë mundur të shërohen 44 persona, duke e çuar totalin e atyre që e kanë mposhtur virusin në 2,789 raste (55% e të infektuarve).

Aktualisht mbeten 2,060 persona ende mbartës të virusit, ose siç thuhet në zhargonin mjekësor “raste aktive”. Pjesa kryesore janë në Tiranë (1,111) e Durrës (245), ndërsa shqetësuese është situata edhe në Vlorë (102), Lezhë (81), Fier (76) dhe Korçë (71).

Prej nisjes së pandemisë autoritet kanë kryer 35,484 teste me tamponë dhe 4,206 teste serologjike.

Shqipëria mbetet vendi që kryen më pak teste në rajon me një statistikë prej 12,700 testesh për çdo 1 milionë banorë – 8 herë më pak se Serbia dhe 4 herë më pak se Maqedonia e Veriut.

 

Lexoni gjithashtu:

Ralf Gjoni rezulton pozitiv me COVID-19, dje ishte në Parlament

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj rezulton pozitiv me COVID-19

Shqiptarët vdesin nga zemra, mjeku Petrit Vargu: Sa më shumë ujë dhe për ata mbi 40 vjeç, një aspirinë në ditë

Tregime të lidhura