Aktualitet

Kryeinfermierja e Infektivit: Çudi që njerëzit nuk besojnë. Tmerr të shohësh kur kërkojnë të ngopen me oksigjen dhe nuk munden

Përditësimi i fundit: 29/07/2020 - 10:44
Text size Aa Aa

Situata nga pandemia e COVID-19 në Shqipëri vijon të paraqitet e vështirë teksavetëm në 24 orët e fundit janë shënuar 4 viktima dhe 117 të infektuar

Shqetësuese është situata e të shtruarve në spitalet COVID ku aktualisht janë të shtruar 123 paciente.

Kryeinfermierja e Spitalit Infektiv, Merita Sefa tha për Euronews Albania se situata në spitale paraqitet shumë e rëndë sa tashmë as stafi mjekësor nuk di më si ta shpjegojë.

Ajo rrëfeu momentet e dhimbshëm të ndarjes nga jeta të pacientëve që siç tha të duket e pabesueshme që nuk ja dalin dot përballë virusit duke parë moshën e tyre dhe nga ana tjetër shpreh çudinë me njerëz që ende nuk besojnë se ky virus është i vërtetë.

“Ky është një virus që ka tronditur botën, edhe ne. Më vjen çudi kur shoh lokalet plot me njerëz të çoroditur, nëpër markete. Duket e pabesueshme, që çdo ditë shohin të vdekur dhe ka njerëz që ende s’e besojnë. Unë u kam thënë të vijnë vetë në spital, të vishen si unë dhe të shohin çfarë po ndodh. Është tmerr të shohësh kur kërkojnë të ngopen me oksigjen dhe nuk mundesh”, u shpreh kryeinfermieria.

E pyetur nëse kishte menduar ndonjëherë gjatë kësaj periudhe të gjatë në frontin e parë me sëmundjen që të hiqte dorë, znj. Sefa u shpreh se nuk i kishte shkuar asnjëherë në mendje kjo gjë, ndërsa shtoi se ajo dhe kolegët e saj i janë futur kësaj gjeje dhe shpresojnë t’ia dalim me sukses deri në fund.

“Frika për ne nuk ka ekzistuar. Më shumë na mposht dhimbja nga ajo që po shikojmë. Problemi me mushkëritë, me oksigjenin është shumë problematike, jo siç shihet jashtë. Vetëm ne që i shikojmë se sa po vuajnë e dimë këtë gjë”, rrëfeu ajo.

Tregime të lidhura