Aktualitet

4 viktima dhe 120 raste të tjera me COVID-19 në Shqipëri

Përditësimi i fundit: 01/08/2020 - 16:04
Text size Aa Aa

Ministria e Shëndetësisë raportoi të shtunën 4 viktima, 120 raste dhe 9 të shëruar të tjerë nga COVID-19 duke çuar bilancin e pandemisë në vendin tonë në 5,396 raste, 2,961 të shëruar dhe 161 të vdekur.

Në konferencë për shtyp nga ministria e Shëndetësisë, Dr. Flutura Beqo tha se viktimat ishin të moshës 71, 67, 61 dhe 58 vjeç nga Kurbini, Lushnja, Durrësi dhe Fieri.

Në 24 orët e fundit rezultuan 120 persona pozitivë nga 510 teste të kryera (pozitiviteti 23%). Pjesaa më e madhe e rasteve të diagnostikuara ishin në Tiranë (57), Durrës (15), Kavajë (8) dhe Krujë (7).

“Aktualisht në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 119 pacientë, 18 janë në terapi intensive, 6 prej të cilëve pacientë të intubuar,” – u shpreh Beqo duke shtuar se gjatë 24 orëve kanë mundur të shërohen 9 persona.

Aktualisht mbeten 2,274 persona ende mbartës të virusit, ose siç thuhet në zhargonin mjekësor “raste aktive”. Pjesa kryesore janë në Tiranë (1,251) e Durrës (277), Shkodër (211) ndërsa shqetësuese është situata edhe në Vlorë (95), Fier (85) Lezhë (84), Korçë (68) dhe Kukës (66).

Prej nisjes së pandemisë autoritet kanë kryer 37,503 teste me tamponë dhe 4,206 teste serologjike.

Shqipëria mbetet vendi që kryen më pak teste në rajon me një statistikë prej 13,400 testesh për çdo 1 milionë banorë – 8 herë më pak se Serbia dhe 4 herë më pak se Maqedonia e Veriut.

Në 5 muaj pandemi muaji korrik rezulton të jetë me numrin më të lartë të të infektuarve dhe të vdekjeve.

Korriku pati 95 viktima (60% e totalit) dhe 2,741 raste (51% e totalit) duke tejkaluar të gjitha shifrat e 4 muajve të tjerë që patën 2,535 raste dhe 62 viktima.

Mesatarisht gjatë muajit korrik pati çdo ditë nga 3 viktima, 88 raste të reja dhe 48 të shëruar.

 

Lexoni gjithashtu:

95 viktima dhe 2700 të infektuar, korriku më shumë vdekje dhe raste se 4 muaj pandemi në Shqipëri

 

Tregime të lidhura