Aktualitet

Vlerësimi i kandidatëve për deputetë, Basha mbledh nesër Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar

Përditësimi i fundit: 02/08/2020 - 11:25
Text size Aa Aa

Muaji gusht për Partinë Demokratike nuk do jetë muaj pushimi. Selia blu do të vijojë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve, finalizimin e programit qeverisës dhe përgatitjes së strukturave për zgjedhjet.

Siç bën me dije zyra e shtypit, paraditen e të hënës demokratët do të mbledhin forumet më të larta vendimarrëse, Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar të PD, të cilët do të vendosin për ngritjen e Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve.

Ky komision do të ketë 5 persona në përbërjen e tij dhe do të asistohet nga Sekretariati ndihmës i Komisionit i përbërë nga dy persona.

Më tej zyra e shtypit pohon se modeli i konservatorëve britanikë, të cilët kanë asistuar PD, së bashku me republikanët amerikanë dhe CDU e Angela Merkel, janë votuar në Kuvendin Kombëtar të demokratëve në ndryshimet statutore.

Komisioni i Vlerësimit ka si detyrë të bëjë seleksionimin e kandidatëve të propozuar për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë.

Figurat si Genc Ruli dhe Besnik Mustafaj, do të jenë pjesë e këtij procesi unik, që sipas PD-së ndodh për herë të parë në Shqipëri.

Instituti Republikan Amerikan IRI, konservatorët britanikë, CDU dhe forcat politike të PPE që kanë ndihmuar PD për këtë proces, duan ta shndërrojnë atë në model të demokratizimit të forcave politike për gjithë rajonin.

Propozimet e tjera ende nuk janë bërë publike, por Komisioni është konceptuar që të ketë në përbërje jo vetëm ish-drejtues të lartë të PD, por edhe personalitete të shoqërisë civile dhe medias, përfaqësues të botës akademike, etj.

Komisioni do kalojë në filtër çdo kandidat nëse përmbush apo jo kriteret e parashikuara me detaje në udhëzimin për funksionimin e procesit. Korpusi i njerëzve me influencë, me mbështetje, me aftësi në fusha të ndryshme, që do të përzgjidhen nga Komisioni, do t’i shkojnë më pas për votim anëtarësisë së Partisë Demokratike.

Nga procesi 6 javor i propozimit të emrave, janë identifikuar një numër i lartë kandidatësh në të 12 qarqet, ku bien në sy se, krahas emrave të njohur, ka shumë emra jashtë strukturave të partisë, kryesisht nga bota akademike dhe shoqëria civile.

Sipas burimeve nga selia blu kjo do të thotë se interesi i demokratëve është identifikimi dhe përzgjedhja e ekipit më të mirë për të fituar zgjedhjet parlamentare dhe formuar qeverinë e re.