Aktualitet

Konsulli shqiptar në Janinë: Po negociojmë që pala helene të punojë edhe gjatë natës

Përditësimi i fundit: 15/08/2020 - 18:02
Text size Aa Aa

Situata në pikën kufitare të Kakavijës ka shkaktuar tension, bllokim rruge dhe lodhje tek qytetarët. Radhët e gjata të automjeteve dhe qëndrimi prej disa ditësh i udhëtarëve në këtë pikë, ka bërë që konsulli shqiptar në Janinë, Eltjon Verleni të vizitojë nga afër problematikën e krijuar.

Gjatë qëndrimit në Kakavijë, konsulli foli për mediat, ndërsa theksoi se pala shqiptare po negocion me atë greke që ta mbajë hapur kufirin edhe gjatë natës, me qëllim që qytetarët të kalojnë drejt vendit fqinj.

“Jemi prej tre ditësh në negociata me palën greke. Shpresojmë që deri në orën 22:00 të kalojnë të paktën 4 mijë qytetarë. Jemi në negociata me palën greke prej 3 ditësh edhe për shtimin e mjekëve apo të sporteleve. Deri tani, situata është e jashtëzakonshme. Po negociojmë që pala helene të hapë kufirin edhe gjatë natës”, tha Verleni.

Prej katër ditësh mijëra shqiptarë emigrantë në Greqi, po mbajnë radhën në pikat doganore të Kakavijës dhe Kapshticës për shkak se autoritetet greke kanë vendosur masa kufizuese kalimi prej pandemisë së COVID-19.