Aktualitet

Radhë kilometrike në kufirin me Greqinë, ambulanca aksidenton për vdekje fëmijën

Përditësimi i fundit: 16/08/2020 - 12:22
Text size Aa Aa

21:20 Kryeministri i vendit, Edi Rama, por edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, njoftuan se pas negociatave intensive me shtetin fqinj është vendosur që pala greke të vijojë punën pa ndërprerje gjatë natës së sotme për të ndihmuar kalimin e emigrantëve shqiptarë.

Por, ky kalim do të diktohet nga rregulla të reja. Autoritetet shqiptare njoftuan se nga nesër, cilido qytetar që kalon në Greqi duhet t'i nënshtrohen karantinimit për shtatë ditë.

19:00- Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ka ndjekur nga afër situatën në pikën kufitare të Kakavijës. Ajo theksoi se nga e hëna, kalimi drejt vendit fqinj do të bëhet me rregulla të reja, ku testi negativ i Covid-19 është përcaktues final për udhëtimin drejt Greqisë. Sipas saj, Shqipëria është e detyruar të respektojë masat që ka hartuar Greqia pasi nuk ka rrugë tjetër. Lexoni më shumë këtu.

18:00-  Radhët e gjata të automjeteve dhe qëndrimi prej disa ditësh i udhëtarëve në rrugë, ka bërë që konsulli shqiptar në Janinë, Eltion Verleni të vizitojë nga afër problematikën e krijuar në Kakavijë. Gjatë qëndrimit atje, konsulli foli për mediat, ndërsa theksoi se pala shqiptare po negocion me atë greke që ta mbajë hapur kufirin edhe gjatë natës, me qëllim që qytetarët të kalojnë drejt vendit fqinj. Lexoni më shumë këtu.

17:00-  Ndryshe nga pika kufitare e Kakavijës ku radha kilometrike e mjeteve dhe emigrantëve vijon të jetë prezente, situata raportohet pak më ndryshe në Kapshticë. Korrespondenti i Euronews Albania, Xhensil Shkëmbi, raporton nga Kapshtica mbi fluksin dhe situatën aktuale në këtë pikë, ku shumë qytetarë presin të udhëtojnë nga Shqipëria drejt Greqisë. Lexoni më shumë këtu.

Gazetari thekson se ka shumë shtetas, të cilët kanë qenë më parë në Kakavijë, por për shkak të fluksit të tejmbushur atje, kanë zgjedhur të rikthehen sërish në Kapshticë, më qëllim kalimin drejt tokës greke.

16:20- Qytetarët që presin të kalojnë kufirin e Kakavijës bllokojnë aksin rrugor me kosha mbeturinash, që të mos kalojnë automjetet që vijnë nga Greqia.

15:30 - Me një njoftim të shpërndarë për mediat, Policia ka dhënë detaje mbi lëvizjet dhe rregullat që duhet të ndiqen nga qytetarët, që për arsye të ndryshme kërkojnë të udhëtojnë jashtë vendit. Në pikat kufitare të Kapshticës dhe Kakavijës duke filluar nga nesër (e diel) nga ora 06:00 deri në 22:00 do të lejohen të udhëtojnë një numër i caktuar qytetarësh. Kështu, Policia thekson se nga Kakavija do lejohen të hyjnë drejt Greqisë 750 persona, ndërkohë në Kapshticë vetëm 300. Lexoni më shumë këtu.

14:30  Radhët kilometrike në pikat doganore me Greqinë mbeten të gjata ndërsa emigrantët shqiptarë janë në ditën e katërt në pritje për të kaluar kufirin. Shiko duke klikuar këtu fotoreportazhin që tregon më shumë gjendjen që po hasin shqiptarët në kufi.

13:15 – Në një deklaratë për shtyp, Partia Demokratike u shprehu ngushëllime të afërmve të fëmijës që u aksidentua për vdekje mëngjesin e sotëm në Bularat të Gjirokastrës. PD e cilësoi situatën e krijuar prej 4 ditësh në kufi si “krizë humanitare” e cila vjen si pasojë e “braktisjes së qytetarëve nga qeveria”. Opozita ka ngarkuar me përgjegjësi qeverinë duke theksuar se “kjo krizë nuk zgjidhet me propagandë në rrjetet sociale dhe as me xhiro me helikopter dhe rikthim në hotele me 5 yje ku pushojnë anëtarët e kabinetit të tij qeveritar, por me angazhim në nivele të larta të qeverisë dhe qytetarëve”. Lexo më shumë duke klikuar këtu.

13:00 – Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj komentoi në Facebook se qeveria po bën përpjekje maksimale për të normalizuar situatën në kufi. Ai tha se kishte angazhuar policinë për të informuar qytetarët në mënyrë që të shtyjnë planet për të udhëtuar drejt Greqisë. Lexoni më shumë këtu.

12:45 – Kryeministri Edi Rama reagoi në Facebook duke e cilësuar situatën të diktuar nga regjimi i ri i kontrolleve prej pandemisë së COVID-19 dhe jo prej keqmenaxhimit të qeverisë, apo të keqtrajtimeve dashakeqe nga pala greke. Në një postim të gjatë në rrjetet sociale ai garantoi se qeveria po bën të pamundurën për të mos i lënë vetëm qytetarët që po presin të kalojnë kufirin. Lexo më shumë duke klikuar këtu

12:00 – Boiken Abazi drejtues i qendrës së Vetëvendosjes në Shqipëri i kërkoi qeverisë të mbajë notë proteste ndaj trajtimit që po u bëhet shqiptarëve në kufirin me Greqinë. Ai ka akuzuar për aksidentimin e një fëmije 10-vjeç në Bularat situatën e krijuar. “Nëse nuk do të ndodhte keqtrajtimi në kufi nga pala greke dhe shpërfillja disa ditore e qeverisë shqiptare ndaj të drejtave dhe nevojave të qytetarëve të vendit, ky aksident tragjik nuk do të kishte ndodhur,” – tha Abazi përmes një postimi në facebook.

11:30 – Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, ka vizituar nga afër situatën në Kakavijë, ku bashkë me 200 ushtarë nga Tirana, Berati dhe Gjirokastra prej mbrëmjes së të premtes kanë shpërndarë ujë dhe ushqime për udhëtarët.

11:10 – Kryeministri Edi Rama garantoi për qytetarët se po vazhdon komunikimet me palën greke për të lehtësuar situatën në pikat kufitare. Përmes një postimi në Instagram ai theksoi se procedurat kanë qenë të njëjta për çdokënd, qoftë dhe qytetarët grekë që kanë dashur të hyjnë në Greqi përmes territorit të Shqipërisë.

10:45 – Policia ka dhënë informacione rreth aksidentit. Ambulanca e drejtuar nga A.G, e cila po transportonte një të sëmurë drejt spitalit të Gjirokastrës ka aksidentuar për vdekje një fëmijë me inicialet S.N nga Lezha në Bularat, zonë në të cilën janë shkaktuar radhë të gjata makinash për shkak të situatës me pikat doganore të Greqisë. Policia ka shoqëruar për në komisariat drejtuesin e ambulancës ndërsa e sëmura është transportuar në spital nga punonjës të policisë. 

10:30 – Një fëmijë rreth 10 vjeç ka humbur jetën mëngjesin e sotëm pasi një ambulancë e përplasi atë në afërsi të fshatit Bularat. Ngjarja e rëndë ndodhi në një moment kur prej ditësh janë nxitur radhë kilometrike në pikat kufitare me Greqinë dhe prej së premtes autoritetet janë munduar t’i asistojnë mijëra emigrantë me ndihma në ushqime dhe shërbim mjekësor.

Sipas dëshmitarëve ambulanca ishte pa të sëmurë brenda dhe po ecte me shpejtësi kur ka përplasur fëmijën, i cili ka humbur jetën në çast.

Ora 10:20 – Rikujtesë! Sipas vendimit të së enjtes, 13 gusht, nga qeveria greke, deri më 31 gusht, gjatë orarit të punës 07:00-23:00 lejohen të kalojnë kufirin vetëm 750 persona në Kakavijë dhe 300 në Kapshticë. Ndërkohë ky është 24-orëshi i fundit ku emigrantëve do t’u lejohet hyrja pa detyrim vënie në karantinë njëjavore, për shkeljen e së cilës autoritetet do të aplikojnë gjoba nga 5 mijë euro. Nga e hëna, 17 gusht, autoritetet greke do të kërkojnë me detyrim rezultatet e testit për COVID-19 për ata që do të duan të kalojnë kufirin, – përjashtohen nga ky detyrim fëmijët nën 9 vjeç dhe shoferët e kamionëve që transportojnë mallra.

Ora 10:00 – Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka thotë se autoritetet diplomatike mbeten në komunikim të vazhdueshëm me palën greke për të lehtësuar procedurat, ndërsa ushtria ka qenë pranë emigrantëve për t’u mundësuar ndihmë me ushqime, ujë dhe shërbim shëndetësor.

Ora 09:15 Në Kapshticë janë krijuar sërish radhë të gjata automjetesh. Burime policore konfirmojnë krijimin e radhëve për shkak se autoritetet greke po punojnë ngadalë me mbledhjen e të dhënave dhe dokumenteve. Në Kapshticë aktualisht raportohet se nuk po kryhen tamponë për COVID-19. Pala shqiptare punon me 8 sportele, ndërsa ajo greke me tre.

Ora 08:35 Probleme për udhëtarët mbeten edhe mosrespektimi i rregullave të qarkullimit ku shumë persona gjatë natës janë përpjekur të devijojnë nga karrexhata dhe të dalin përpara në radhë. Kjo ka shkaktuar shpesh përplasje pasi pavarësisht pranisë së policisë ecja kundravajtje nuk është ndaluar.

Ora 08:00 Tashmë radhë të gjata dhe problematike shfaqen edhe në pikën doganore të Kapshticës.

Ora 06:00 Pasi u mbyll orët e vona të së premtes, rihapet sërish kufiri me Greqinë me mijëra emigrantë shqiptarë të cilët kaluan sërish natën në radhë duke pritur kalimin.

Lexoni gjithashtu:

Radhë kilometrike në pikat kufitare me Greqinë, qytetarët kalojnë natën në pritje për të kaluar

Ministria e Jashtme kujton se pikat doganore me Greqinë do të funksionojnë vetëm ditën

Greqia mbyll pjesërisht Kakavijën dhe Kapshticën, vendos rregulla të reja

Greqia rikthen karantinën për shqiptarët, 7 ditë izolim kush kalon nga Kakavija, mbyllet gjatë natës pika kufitare

 

Tregime të lidhura