Aktualitet

Rikthehen lojërat e fatit| Zbardhet vendimi i qeverisë, kazinotë do të vendosen në qendër të Tiranës

Përditësimi i fundit: 09/09/2020 - 16:08
Text size Aa Aa

Kazinotë do të rikthehen në kryeqytet, ndërsa do jenë në zemër të tij. Një vendim i qeverisë i miratuar në datën 2 shtator, i cili u publikua sot në fletoren zyrtare, përcakton se qendra e Tiranës do të jetë zona se ku do të pozicionohen kazinotë në kryeqytet. 

Sipas kësaj VKM-je parashikohet se lojërat e fatit të tipit kazino do të pozicionohen brenda perimetrit të Rrugës së Barrikadave, ‘Urani Pano’, ‘Dedë Gjo Luli’, ‘Ibraim Rugova’, ‘Xhorxh Bush’ dhe Bulevardit ‘Zhan D'ark’.

Ky vendim i qeverisë shoqërohet me një tjetër që përcakton kriteret për të lejuar ushtrimin e lojërave të fatit të tipit kazino, ku kryesorja është se duhet të ketë një kapital prej 1.2 miliardë lekësh ose rreth 12 milionë dollarë.

Interesant është fakti se dy vite më parë qeveria mbylli të gjitha lojërat e fatit që operonin në Shqipëri, nën argumentin se këto lloj biznesesh shërbejnë për të pastruar paratë e krimit.

Tashmë, aktivitetet që i mbylli vetë qeveria është duke i rihapur në një nga zonat më të lakmuara të kryeqytetit, ku vitet e fundit po lulëzojnë edhe ndërtimet shumëkatëshe dhe pronarët e tyre e kanë më të lehtë të posedojnë kapitalin prej 12 milionë dollarësh.

Pas këtij vendimi diçka është e sigurt, qendra e Tiranës nuk do të jetë e njohur vetëm për monumentin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, e as për arkitekturën italiane si pjesë e historisë së kryeqytetit, por edhe për kazinotë.

Tregime të lidhura