Aktualitet

Regjistrimi i tokave bujqësore, Lame: Ka edhe 2 muaj kohë për të aplikuar për marrjen e tapisë

Përditësimi i fundit: 12/09/2020 - 14:35
Text size Aa Aa

Të gjitha ato familje që jetojnë në fshat dhe nuk janë pajisur ende me certifikatë pronësie për tokën bujqësore, kanë afat për të aplikuar pranë bashkive deri në datën 7 nëntor të këtij viti.

Duke qenë se gjatë 4 muajve të parë që nga hyrja në fuqi e këtij ligji aplikimet kanë qenë të pakta, drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame u ka bërë thirrje qytetarëve që të aplikojnë.

“Aplikime ka pak ankesa ka shumë. Kjo do të thotë se mbase ka një mungesë informacioni nga qytetarët për mundësitë e ofruara nga ligji i fundmë i miratuar.

Përpos kësaj vërej edhe një lloj apatie nga qytetarët, që ankohen se kanë 25 vjet që askush nuk i dëgjon dhe tani që janë dëgjuar nga qeveria nuk bëjnë minimumin, që është aplikimi në bashki”, tha kreu i Kadastrës.

Sipas Lames, problematikat më të mëdha me këtë proces janë ndeshur në zonat e veriut të Shqipërisë.

“E vuan më shumë Veriu se ka më tepër zonë malore, që e ka refuzuar pajisjen me AMTP dhe përgjithësisht ta pranojmë një çik refuzimin e shqiptarëve për t’u marrë me letra”, tha z. Lame.

Aktualisht, janë 22 mijë familje që janë pajisur pjesërisht, ose nuk janë pajisur fare, me aktin e marrjes së tokës në pronësi.

Tregime të lidhura