Aktualitet

Evis Kushi emërohet ministre e re e Arsimit, Rama lajmëron largimin e Shahinit

Përditësimi i fundit: 14/09/2020 - 18:19
Text size Aa Aa

Dita e parë e fillimit të vitit të ri shkollor duket se do ta gjejë arsimin shqiptar me një ministre të re. Përmes një takimi të mbajtur në zyrën e kryeministrit Edi Rama dhe të transmetuar live në Facebook, Rama lajmëroi se deputetja Evis Kushi do të zëvendësojë ministren në largim të Arsimit, Besa Shahini.

"Dua të të falenderoj shumë për të gjithë kontributin e madh që ke dhënë. Jam i bindur që edhe çfarë nuk është arritur dot të vlerësohet prej kohës aktuale, padiskutim do të vlerësohet në kohë," deklaroi Rama.

Sipas kryeministrit, në shtatë vjet qeverisja socialiste ka ndryshuar në mënyrë radikale arsimin. 

Gjatë një interviste në Ilva Now javën e shkuar, ministrja Shahini pohoi zërat e largimit të saj nga kabineti qeveritar duke cituar arsyet familjare dhe largësinë mes Tiranës dhe Prishtinës, por tha se pritej të largohej në përfundim të mandatit. 

Kryeministri Rama citoi "përgjegjësinë politike" si arsye për largimin më të hershëm se përfundimi i mandatit për ministren e Arsimit Besa Shahini.

Kushi, e cila ka qënë më herët ka mbajtur postin e dekanes në Fakultetin Ekonomik të Elbasanit u prezantua nga kryeministri si një mbajtëse e denjë "e stafetës".

"Unë ju falenderoj shumë sepse është një privilegj shumë i lartë, jam shumë e befasuar në fakt nuk e prisja, që pas shtatë vitesh angazhim politik të jem ministre e Arsimit," deklaroi znj. Kushi.

"Më shumë se privilegj e konsideroj një përgjegjësi shumë të lartë që të drejtoj sektorin ku kam punuar tashmë prej 23 vitesh," shtoi Kushi, duke listuar eksperiencat e saj. 

 

 

Lexoni gjithashtu: 

VIDEO: Ministrja e Arsimit, Besa Shahini: Në përfundim të mandatit do të largohem nga qeveria dhe Shqipëria