Aktualitet

Rrjeti rajonal për Gazetarë të Sigurt thirrje qeverisë të tërhiqet nga paketa anti-shpifje

Përditësimi i fundit: 15/09/2020 - 16:27
Text size Aa Aa

Rrjeti për Gazetarë të Sigurt (SafeJournalists) në Ballkanin Perëndimor i është bashkuar thirrjes së organizatave shqiptare të gazetarëve dhe shoqërisë civile për t’i bërë thirrje qeverisë dhe Kuvendit për të mos miratuar paketën e shumë diskutueshme “anti-shpifje”, e cila përpiqet të vërë nën kontroll mediat online.

Në një deklaratë të përbashkët me shoqatat e gazetarëve të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë, Bosnje e Hercegovinës dhe Kroacisë thonë se procesi i ndryshimit të ligjit për mediat duhet të jetë “më i gjerë gjithëpërfshirës dhe pjesëmarrës” kjo në mënyrë që “të reflektohen në ligjin e ri rekomandimet e Komisionit të Venecias”.

Thirrja vjen pasi javën e fundit, në rrugë jozyrtare, u bë me dije se qeveria po përgatitet ta kalojë sërish në parlament pa reflektuar më parë rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Shqetësimi u përcoll nga komuniteti shqiptar i gazetarëve, shoqatat e shoqërisë civile si dhe nga presidenti Ilir Meta.

Tre muaj më parë Komisioni i Venecias publikoi opinionin e tij në lidhje me ndryshimet ligjore rreth aktivitetit të mediave online.

Ndryshimet, të njohura për publikun si e ashtuquajtura “paketë anti-shpifje” përfshijnë ndryshime të 30 neneve të ligjit aktual të mediave audio-vizuale, veçanërisht në lidhje me kompetencat e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) dhe 4 neneve të ligjit për “Komunikimet elektronike” (dhe Autoritetit për Komunikimet Elektronike dhe Postare, – AKEP). 

Ndryshimet ligjore u miratuan nga parlamenti në dhjetor 2019 pavarësisht se u kundërshtuan gjerësisht nga Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), gazetarë, organizata lokale dhe ndërkombëtare të mediave dhe eurodeputetë.

Në janar 2020 Presidenti i ktheu për rishqyrtim me argument kryesor se ato shkelnin lirinë e shprehjes. Në fund të janarit, qeveria u tërhoq nga rivotimi i paketës dhe deklaroi se do të presë mendimin e Komisionit të Venecias.

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, u shpreh të martën se shumica do ta kalojë ligjin sipas rekomandimeve të Komisionit.

Por, në rrugë jozyrtare, organizatat dhe komuniteti i gazetarëve kanë marrë dijeni se qeveria po përgatitet ta ridërgojë paketën për miratim në Kuvend pa përfshirë mendimin e Komisionit.

“Nëse Qeveria është vërtet e vendosur ta miratojë paketën anti-shpifje apo ligjin e mediave online, ajo lehtë mund ta bëjë këtë pasi nuk ka kundërshtim thelbësor në parlamentin aktual me një parti. Kjo do të përkeqësojë edhe më shumë lirinë e medias në Shqipëri,” – shprehet Blerjana Bino, eksperte e SafeJournalists.

Ajo shton se ndërsa është e rëndësishme të trajtohen çështjet e gjuhës së urrejtjes, shpifjes, dezinformimit dhe fenomeneve të tjera që lidhen zakonisht me mediat online, kjo “duhet të bëhet duke u konsultuar me aktorë të rëndësishëm dhe me pjesëmarrjen kuptimplotë të shoqërisë civile dhe organizatave të medias”.

“Vetë-rregullimi i medias është thelbësor ashtu sikurse edhe mbështetja për më shumë profesionalizëm dhe pavarësi të mediave,” – shprehet Bino.

Në opinionin e botuar në qershor, Komisioni i Venecias shprehej se dhënia e kompetencave të zgjeruara për AMA-n shkel lirinë e medias, ndërsa ngrinte shqetësim për proporcionalitetin e gjobave.

Si përfundim, Komisioni i Venecias mbështeti idenë e propozuar që dy vite më parë nga komuniteti i gazetarëve, për “funksionim me vetë-rregullim dhe respekt për sistemin e përgjegjësisë së mediave online”.

 

Lexoni gjithashtu:

Paketa “anti-shpifje”, ekspertët: Ky projektligj duhet të tërhiqet, është i gatuar keq!

Rikthimi i paketës anti-shpifje, Meta: Qeveria dhe parlamenti të tërhiqen nga modeli Lukashenko

Opinioni i Komisionit të Venecias, Taulant Balla: Të mos e lexojmë si tifozë, i dha dritën jeshile ‘Antishpifjes’

Tregime të lidhura