Aktualitet

Vret qenin duke e tërhequr zvarrë me makinë, organizata e mbrojtjes së kafshëve thirrje autoriteteve për hetime

Përditësimi i fundit: 15/09/2020 - 08:11
Text size Aa Aa

Organizata vullnetare Animal Rescue Albania (ARSA) denoncoi të hënën në rrjetet sociale vrasjen mizorisht të një qeni duke e tërhequr zvarrë me makinë. Ngjarja pretendohet të ketë ndodhur në Sukth të Durrësit dhe për këtë ARSA u ka bërë thirrje autoriteteve që të hetojnë dhe ndëshkojnë përgjegjësit.

“Çfarë mëkati kaq të madh kishte bërë vogëlush që të tërhoqën zvarrë deri në vdekje, që të torturuan derisa pe vdekjen në sy dhe ndjeve në çdo qelizë tënden? Ke lehur shumë? Ke ngrënë pulat? Apo mos ishe vallë i sëmurë?” – shoqërohej nga ARSA denoncimi me foto në Instagram.

Në denoncimin me të paktën tre foto, shihet një makinë tip Renault Megane me targa AA 940 YI që ka të lidhur pas një qen, në dukje, labrador. Ky shfaqet teksa përpiqet të lirohet nga lidhja ndërkohë që makina është në ecje.

Në foton e tretë qeni shfaqet i dorëzuar dhe pa shenja jete.

Euronews Albania iu drejtua policisë dhe ministrisë së Brendshme për më shumë informacion, ndërkohë që ARSA ka bërë thirrje që dashamirësit e kafshëve dhe natyrës t’u nisin një seri kërkesash për nisjen e hetimeve.

Sipas kodit penal (Nenet 207/b; 207/c), të ndryshuar vitin e shkuar pas angazhimit të vetë ARSA-s me një peticion prej 37,500 firmash, keqtrajtimi apo vrasja e kafshëve dënohet me gjobë ose burg deri në gjashtë muaj.

Kujdes pamje të rënda në vijim!

Tregime të lidhura