Aktualitet

Fëmijët me aftësi të kufizuara në shkolla, drejtoresha e ‘Save the Children’ në Shqipëri: Shteti të rrisë fondet për arsimin

Përditësimi i fundit: 16/09/2020 - 14:13
Text size Aa Aa

Me nisjen e vitit të ri shkollor po vihet re se fëmijët me aftësi ndryshe po përballen me një sërë vështirësish. Në gjithë Shqipërinë janë 4600 nxënës me aftësi të kufizuara, të cilët kanë në dispozicion vetëm 995 mësues ndihmës.

Anila Meço, drejtoreshë e ‘Save the Children’ në Shqipëri tha për Euronews Albania se prej vitesh fondacioni që ajo drejton i ka kërkuar shtetit shqiptar që të rrisë investimet dhe përqindjen e buxhetit që i dedikon arsimit.

“Janë pikërisht këto mungesa të investimeve që ne shikojmë se krijojnë dhe vështirësi të shtuara në kohë pandemie”, - u shpreh ajo.

E pyetur se çfarë duhet bërë konkretisht për fëmijët me aftësi të kufizuara, znj. Meço tha se duhet të riaktivizohet mësimi në shtëpi.

Sipas saj, shkolla duhet të marrë përsipër të dërgojë një mësues në shtëpi për fëmijët me aftësi ndryshe të cilët nuk kanë mundësi të frekuentojnë shkollën.

“Gjithashtu, për momentin ne nuk shikojmë një database të qartë ku të dokumentohet se cilët nga këta fëmijë me aftësi të kufizuara janë kthyer fizikisht në sistemin arsimor, cilët po ndjekin online, sepse situatë kjo ka nevoje të monitorohet”,- theksoi ajo.

Ndër problemet më të mëdha që Anila Meço përmendi ishte fillimisht mungesa e mësuesve ndihmës, që e bën situatën edhe më kritike dhe gjithashtu problemet ekonomike të prindërve të cilët nuk i mbështesin dot fëmijët me mjetet e nevojshme për të garantuar rikthimin e tyre në shkolla.

Tregime të lidhura