Aktualitet

Mbi gjashtë muaj pandemi, spitalet shqiptare përballuan fluksin, por prirja e COVID-19 mbetet shqetësuese

Përditësimi i fundit: 16/09/2020 - 11:15
Text size Aa Aa

Shqipëria ka hyrë në muajin e shtatë të pandemisë së COVID-19 me një prirje shqetësuese të rasteve të reja dhe numrit të të shtruarve në spitale. Sidoqoftë ajo që vihet re është se deri më tani sistemi spitalor ka mundur ta përballojë fluksin. Spitalet kanë mundur t'u shërbejnë qindra pacientëve ndërkohë që është arritur të mbahet e ulët përqindjen e vdekjeve – që mbetet diçka më pak se 3 për qind e të infektuarve.

Të dhënat e raportuara nga ministria e Shëndetësisë, dhe përpunuar nga Euronews Albania, tregojnë se muajin e fundit situata vijoi të përkeqësohej për sa i përket përhapjes së infeksionit. U vu re rritje e mesatares së rasteve ditore nga 114 në 147, – kjo për rrjedhojë edhe të rritjes së testimeve, mesatarisht nga 515 në 850 në ditë. Megjithëse pati fluks në rritje, spitalet sidoqoftë ia dolën mbanë të mbajnë pothuajse të njëjtën prirje të ulët të vdekshmërisë si muajin paraardhës (1670 të shëruar, 120 të vdekur muajin korrik-gusht; 3000 të shëruar, 125 vdekje muajin gusht-shtator).

Nga ministria e Shëndetësisë nuk ka ende një raport përmbledhës për 6-mujorin e pandemisë. Nuk ka shifra të qarta se sa ka qenë numri i përgjithshëm i pacientëve të trajtuar nga COVID-19 në spitale. Sa prej të shëruarve të raportuar kanë qenë pacientë të shtruar në spitale dhe sa me trajtim shtëpiak.

Megjithatë nga raportimet ditore të ministrisë mund të kuptohet dinamika dhe prirja që ka pandemia.

 

Prej 9 marsit kur u diagnostikua i infektuari i parë me COVID-19, autoritetet kanë kryer mbi 75,500 teste duke pikasur mbi 11,600 raste të tjera, prej së cilave rreth 6,700 kanë mundur të shërohen 4,600 mbeten mbartës të virusit ndërsa 340 kanë përfunduar me vdekje.

Gjatë gjashtë muajve të shkuar, situata u mirëmenaxhua në periudhën maj-qershor (18 maj-23 qershor) aq sa të mos ishte më i nevojshëm një nga dy spitalet ku trajtoheshin të sëmurët me COVID-19. Pas kësaj periudhe ku pati rënie të rasteve dhe po kështu të të shtruarve në spitale, vendi u përfshi nga një valë tjetër e infeksionit, kjo e ardhur kryesisht nga fluksi i lëvizjeve për turizëm.

Ekspertët e shëndetësisë parashikojnë se me ardhjen e vjeshtës dhe me rinisjen e vitit shkollor situata e pandemisë të mund të përkeqësohet më tej.

Përballë situatës që po has Shqipëria dy muajt e fundit, autoritetet janë përpjekur të bëjnë gati decentralizimin e shërbimit spitalor për pacientët me COVID-19 duke ia kaluar shërbimin edhe spitaleve rajonale në mënyrë që të shmangen lëvizjet dhe flukset shtesë drejt Tiranës.

Ministria e Shëndetësisë ka raportuar disa herë për investime në aparatura dhe infrastrukturën spitalore të rretheve, ndërkohë që edhe Bashkimi Evropian ka mundësuar gjithashtu disa donacione.

Kapaciteti hospitalizues i të sëmurëve me COVID-19 thuhet të jetë 500 shtretër, ndërkohë që deri më sot numri më i lartë i të shtruarve është raportuar të ketë qenë 199 (8 shtator, 24 prej së cilëve në terapi intensive).

Të dhëna mbetur të paqarta:

  • ministria e Shëndetësisë raporton vetëm vdekjet spitalore të pacientëve me COVID-19;
  • nuk ka pasur raportime për vdekje në kushte shtëpie të personave me COVID-19;
  • numri i përgjithshëm i rasteve totale me COVID-19 nuk rezulton të jetë i saktë;
  • të paktën 12 raste me pacientë të infektuar nga COVID-19 (bashkë me vetëvrasjen e dy pacientëve në Shefqet Ndroqi), vdekjet e të cilëve nuk u shkaktuan nga COVID-19, nuk figurojnë në rastet e përgjithshme, çështje për të cilën Euronews Albania ka kërkuar shpjegime, por nuk ka marrë përgjigje nga autoritetet, lexo më shumë këtu.

Të dhëna domethënëse:

  • koronavirusi u ka marrë jetën tre mjekëve: Anibal Byberi, Hysni Shkjau dhe Arian Pushi;
  • më shumë të shëruar në një ditë: 227 raportuar më 2 shtator;
  • më shumë raste në një ditë: 178 raportuar më 24 gusht;
  • më shumë viktima në një ditë: 6 raportuar dhjetë herë mes muajve korrik, gusht dhe shtator;
  • viktima më e re në moshë: 21 vjeç raportuar më 15 korrik;

Masa të rëndësishme:

  • prej muajit mars autoritetet ndalojnë aktivitetet shoqërore, politike dhe kulturore që nxisin grumbullime njerëzish në mjedise të mbyllura;
  • prej 19 korrikut mbajtja e maskës në mjediset e mbyllura është bërë me detyrim, lexo më shumë këtu;
  • prej 20 korrikut qeveria u ndalon muzikën bareve dhe restoranteve pas orës 20:00; lexo më shumë këtu;
  • prej 19 korrikut qeveria lejon kryerjen e testit për antitrupa në klinika private të certifikuara; lexo më shumë këtu
  • prej 23 korrikut qeveria lejon kryerjen e testit me tamponë në klinika private të certifikuara;lexo më shumë këtu;

Tregime të lidhura