Aktualitet

Takimi Rama-Mitsotakis, kreu i komunitetit shqiptar në Selanik: Nuk ka asnjë pengesë për marrëveshjen detare

Përditësimi i fundit: 16/09/2020 - 08:36
Text size Aa Aa

Luan Zyka, kreu i komunitetit shqiptar në Selanik tha për Euronews Albania se paragjykimet janë sfondi i marrëdhënieve dhe jo vetëm i asaj Shqipëri-Greqi.

Sipas tij darka e shtruar nga kryeministri grek për z. Rama ishte tepër miqësore dhe mund të përbëjë një bazë mirëkuptimi për zgjidhjen e shumë problemeve.

“Në takimin e tyre u shtrua domosdoshmëria për zgjidhjen e të gjitha problemeve të mbartura nga e kaluara”, - tha z. Zyka, duke theksuar se nuk mendonte se çështja e detit përbën problem dhe është një çështje që e kanë shumë vende të botës.

“Me dëshirë të mirë dhe bazuar në të drejtën ndërkombëtare, besoj se nuk ka asnjë pengesë për të bërë dhe një marrëveshje të tillë (detare), që të kemi parasysh, nuk ka të bëjë me vijën detare kufitare. Ka të bëjë më shumë me zonën ekonomike që i takon secilit vend”, - shtoi ai.

Sipas tij, ajo që duhet bërë është që popujt të fillojnë të ndërveprojnë edhe në rrugë politike apo institucionale.

Z. Zyka ai nënvizoi dhe nevojën për heqjen e ligjit të luftës, që në këndvështrimin e tij është një turp për marrëdhëniet shqiptaro-greke.

Së fundmi, kreu i komunitetit shqiptar në Selanik nuk la pa përmendur dhe faktin se Greqia duhet të njohë Kosovën ndërkohë që theksoi se problem i pensioneve në Greqi duhet të zgjidhet patjetër nga një grup pune që sipas tij duhet ta ngrenë shqiptarët.

 

Lexoni gjithashtu : 

Vizita e Ramës në Greqi, gazetari Robert Goro: Zhvillim pozitiv, negociatat mes dy vendeve rinisin pas pauzës 11-vjeçare

Takim Rama-Mitsotakis në Athinë, do të diskutohet edhe çështja e detit

 

Tregime të lidhura