Aktualitet

Çfarë maskash po përdorin fëmijët tanimë që i janë rikthyer shkollës nën kushtet e pandemisë?

Përditësimi i fundit: 21/09/2020 - 18:38
Text size Aa Aa

Euronews Albania u interesua në farmaci, aty ku shiten maska të çertifikuara për përdorim dhe konkluzioni është se prindërit blejnë maska shpeshherë artizanale dhe shumë-përdorimshe për shkak të kostos më të ulët.

Në udhëzimin e Komiteti Teknik të Ekspertëve mbi masat anti-COVID për vitin shkollor 2020-2021 parashikohet se të gjithë nxënësit duhet të jenë të pajisur me maskë një përdorimshe ose prej tekstili, të cilat duhet të lahen në 60 gradë dhe të hekurosen.

Mirëpo pjesa më e madhe e maskave që fëmijët mbajnë sot në shkolla janë të pa çertifikuara. Shumica e tyre janë punime artizanale, të përbëra nga copa dhe forma të ndryshme, me dizenjo që tërheqin fëmijët.

Prindërit janë të vetëdijshëm në lidhje me mungesën e çertifikimit të tyre duke e shprehur hapur pasigurinë për mbrojtjen që këto maska ofrojnë.

Një prind tha për Euronews Albania se maskën e fëmijës e ka porositur në rrobaqepësi por ishte i sigurt se nuk e mbronte për aq kohë sa maska ishte e paqëndrueshme.

Sipas asaj që prindërit thonë, maskat e farmacive mund të jenë më të sigurta por jo të gjithë kanë mundësi ekonomike t’i përballojnë e në këtë pikë ndihmesë duhet të jetë shteti.

Shqetësim përbën dhe mënyra se si fëmijët i mbajnë maskat. Ata shprehen se ato i pengojnë të mbushen me frymë.

Ndërkaq nga ajo që tha një rrobaqepëse sasia e porosive për maska fillonte nga 3 deri në 50. Sipas një modeli që ajo tha se e ka sajuar vetë maska ishte me tre shtresa: dy të parat pambuk pastaj e teta filtër ose pambuk në varësi të kërkesës.

Rrobaqepësja tha për Euronews se lëndën e parë për krijimin e maskave e merrte në treg por as vetë ajo nuk mund të ishte e sigurt për mbrojtjen që ju jepet fëmijëve nga këto maska.

Sipas farmacistëve prindërit zgjedhin maska të pa çertifikuara duke qenë se ato janë një përdorimshe dhe kostoja e tyre është më e lartë.

“Ne kemi këto që janë model i certifikuar, përdorim një ditor. Mënyra tjetër që ne kemi zgjidhur është një fasoneri që na i bën në tre shtresa, ne i kemi provuar vetë që janë efektive duke e sprucuar me një spraj dhe nuk kalojnë piklat nga ana tjetër,” – tha Alba Rustemi, farmaciste.

 Për të marrë një informacion mbi standardet që duhet të kenë maskat për fëmijë dhe kontrollet e realizuara në drejtim të tyre Euronews Albania kërkoi informacion edhe nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.

Ky institucion deklaron se mbështetur në rekomandimet e OBSH dhe direktivat e BE maskat klasifikohen si pajisje mjekësore të klasit të parë dhe regjistrohen pranë agjencisë kombëtare të barnave dhe pajisjeve mjekësore në bazë të dokumentacionit të trupave certifikuese europiane ose FDA të SHBA, ndërsa përdorimi i maskave jo mjekësore kryhet sipas rekomandimeve te institutit te shëndetit publik i pyetur në lidhje me këtë problem urdhri i farmacistëve deklaroi se kjo çështje del jashtë veprimtarisë së tyre.

Tregime të lidhura