Aktualitet

Mjekja e Infektivit: Diagnoza COVID-19 nuk do të thotë vdekje, kemi qenë si familje për pacientët

Përditësimi i fundit: 21/09/2020 - 09:26
Text size Aa Aa

Katër persona kanë humbur jetën nga COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë, ndërkohë që kanë rezultuar pozitivë me virusin 159 persona në 844 testime.

Mjekja e spitalit Infektiv, Entela Kolovani tha për Euronews Albania se vendi ynë është karakterizuar nga një situatë e njëtrajtshme sa i përket infektimeve nga coronavirus, që nga hapja graduale pas karantinës.

Kjo, tha mjekja, reflektohet edhe në numrin e shtrimeve në spital të cilat deri më tani kanë qenë të përballueshme nga sistemi.

E pyetur lidhur me 2 rastet e vetëvrasjeve në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ të pacientëve të diagnostikuar me COVID-19, mjekja pranoi se kjo diagnozë nuk përjetohet lehtë psikologjikisht tek disa persona, pasi shihet si dënim me vdekje, gjë që siç tha nuk është e vërtetë pasi janë shumë më shumë ata që kanë mundur ta mposhtin sëmundjen.

Ajo siguroi se në spitalet COVID gjendet një numër i konsiderueshëm stafi që kujdeset për pacientët jo  vetëm nga pikëpamja shëndetësore, por edhe psikologjike.

“Personat që hospitalizohet gjejnë një familje të dytë në këtë shërbim, kemi një numër të madh personeli që u qëndrojnë afër të sëmurëve jo vetëm nga ana shëndetësore, por edhe nga pikëpamja psikologjike, duke u shërbyer për gjithçka kanë nevojë.

Ne e dimë se sa vuajtje sjell kjo sëmundje. Që kur diagnostikohen me coronavirus e kanë të vështirë pasi për shumë njerëz kjo diagnozë do të thotë vdekje, gjë që s’është e vërtetë, pasi janë shumë më tepër ata që e kanë fituar betejën me këtë sëmundje.

Ne kemi numra telefoni në klinikë me të cilët komunikojmë me pacientët, familjarët mund të komunikojnë me ta sa herë kanë nevojë dhe kur ua lejon gjendja shëndetësore, telefonin e kanë në dorë”, tha mjekja.

 

Lexoni gjithashtu:

Katër viktima dhe 159 raste të tjera me COVID-19 në Shqipëri

Tregime të lidhura