Aktualitet

Rreziku i Covid-19 në shkolla, Gjeorgjina Kule: Kemi tetë fëmijë të shtruar me komplikacione

Përditësimi i fundit: 24/09/2020 - 14:36
Text size Aa Aa

Gjeorgjina Kule, mjeke pediatre në një intervistë për Euronews Albania foli rreth fëmijëve të infektuar me COVID-19, numri i të cilëve ngelet i pandryshuar nga ai i para fillimit të vitit të ri shkollor.

Mjekja Kule tha se duhet pritur edhe pak për të vlerësuar situatën duke qenë se periudha e inkubacionit shkon deri në dy javë. Ajo nënvizoi gjithashtu faktin se janë të përgatitur për një shtim të numrit të rasteve.

“Shifra të sakta në lidhje me fëmijët e infektuar në shkollë duhet t’i merrnim nga Instituti i Shëndetit Publik por gjatë këtyre ditëve hospitalizimet e rasteve të fëmijëve që kanë qenë me infeksion nga SARS COV-2 kanë qenë fëmijë të moshës së vogël para moshës shkollore”, sqaroi mjekja.

Gjeorgjina Kule tregoi se aktualisht janë tetë fëmijë të shtruar të infektuar me COVID-19 që kanë komplikacione, por situata shton ajo është nën kontroll.

Znj. Kule nuk e mohon që ekziston si mundësi agravimi i situatës dhe si për rrjedhojë mësimi duhet të zhvillohet në kushte të tjera por konkretisht numri i rasteve nuk e bën të nevojshëm një formë alternative të mësidhënies.

Mes tjerash, mjekja pediatre ftoi prindërit, ndërsa kërkoi prej tyre angazhim për të disiplinuar fëmijët dhe për të treguar më shumë vigjilencë sa i përket respektimit me rigorozitet të gjithë rregullave të protokollit.

Tregime të lidhura