Aktualitet

Ndryshon procedura e rinovimit të pasaportave, nuk do kërkohet më formular në polici

Përditësimi i fundit: 30/09/2020 - 11:58
Text size Aa Aa

Nga nesër qytetarët që do të aplikojnë për të ripërtërirë vlefshmërinë e pasaportës nuk do ta kenë të nevojshme paraqitjen në polici për të plotësuar formular verifikimi të të dhënave.

Këtë e njoftoi sot ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj nga një zyrë e kompanisë ALEAT ku lavdëroi punën e bërë së fundmi për digjitalizimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.

“Qytetarët që kanë nevojë të ri-aplikojnë për pasaporta udhëtimi, tashmë nuk kanë nevojë të shpenzojnë kohë pranë policisë për të plotësuar formularë, por mund të paraqiten menjëherë pranë zyrave të aplikimit, ndërkohë që shtetasit që kanë mbushur moshën 75 vjeç do të marrin karta identiteti pa afat skadence,” – u shpreh Lleshaj.

Ministri bëri thirrje që qytetarët të aplikojnë për të ripërtërirë kartat e identitetit dhe pasaportat duke caktuar online në zyrat e ALEAT.

Për shkak të tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe pandemisë së COVID-19 këtë vit qeveria është detyruar të shtyjë me ligj njohjen e afateve të vlefshmërisë së pasaportave dhe kartave të identitetit.

Mirëpo siç theksoi Lleshaj, “tashmë koha ka ardhur që qytetarët të nxitojnë për të aplikuar ripërtëritjen e tyre”.

Tregime të lidhura