Aktualitet

Ambasadorja Kim kërkon nga ministri Lleshaj të qartësojë çështjen e regjistrimit të votuesve

Përditësimi i fundit: 01/10/2020 - 17:07
Text size Aa Aa

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, kërkoi të enjten transparencë dhe qartësi publike rreth çështjes së regjistrimit të votuesve dhe implementimit të identifikimit elektronik në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Kim e bëri këtë kërkesë publike përmes një postimi në Twitter pas një takimi që ajo zhvilloi me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj.

“Pata diskutim shumë të mirë sot me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj rreth bashkëpunimit të fortë amerikano-shqiptar rreth sigurisë dhe forcimit të ligjit. Diskutuam gjithashtu për përgatitjet për zgjedhje, përfshirë këtu implementimin e identifikimit biometrik të dakordësuar më 5 qershor. Ai sqaroi çështjet rreth regjistrimit të votuesve. Pres që ministri Lleshaj të bëjë qartësim publik në daljen televizive që do të ketë sot, plus publikimin e qartësimeve në web-faqen e ministrisë për të siguruar kështu transparencë dhe ndërgjegjësim publik kundër keqinformimeve,” – u shpreh ambasadorja amerikane në Twitter.

Takimi dhe qëndrimi i shprehur nga ambasadorja vjen pak ditë pasi Euronews Albania përcolli shqetësimet e dhjetëra qytetarëve në Tiranë të cilët ankoheshin se pa u vënë në dijeni ishin regjistruar në regjistrat e Gjendjes Civile me adresa në qytete të tjera.

Kjo çështje u konsiderua nga opozita si "manipulim zgjedhor", ndërkohë që ministri Lleshaj dhe drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile e konsideroi si një problem i shfaqur nga bashkimi i regjistrave të vendbanimeve dhe atyre të adresave.

Opozita bëri thirrje për hetime dhe tha se do t'i kallëzonte në prokurori ministrin dhe zyrtarët e përfshirë, ndërkohë që nga qeveria u garantua se problematika nuk ndikonte aspak në listat e votuesve apo vend-votimet që qytetarët do të kenë në zgjedhjet e 25 prillit.

 

Lexoni gjithashtu:

PD cilëson ''operacion manipulimi zgjedhor'' ngatërrimet e adresave

Gabimi me adresat, Doracaj: S'ka ndryshim vendbanimesh, s'do ketë probleme për zgjedhjet

Kaosi me adresat, qytetarët ankohen se janë çregjistruar pa dijeninë e tyre

 

Tregime të lidhura