Aktualitet

Bluzat e bardha në Kosovë paralajmërojnë bojkot nëse nuk marrin bonusin 300 euro

Përditësimi i fundit: 01/10/2020 - 12:57
Text size Aa Aa

Punonjës të shërbimit spitalor, mjekë dhe infermierë në Klinikën Universitare të Kosovës kanë protestuar një ditë më parë për mungesën e marrjes së bonusit të premtuar nga qeveria për shërbimin jashtë orarit gjatë pandemisë.

Sipas tyre, ata janë diskriminuar nga qeveria, e cila nuk e ka mbajtur premtimin e dhënë gjatë kohës së pandemisë. Kreu i Sindikatës së Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla tha për Euronews Albania se mbështetja me bonus nuk ka qenë për të gjithë punonjësit e shëndetësisë.

Ai u shpreh se nga kjo fashë mbështetëse janë përjashtuar stomatologët, shoferët dhe punonjësit sanitarë.

“Këtu kemi të bëjmë me një proces, që në katër vite nuk janë rritur pagat. Kemi pasur ligjin e pagave, që është hedhur poshtë në mënyrë arbitrare nga Gjykata Kushtetuese. Në kohën e pandemisë, qeveria ka marrë një vendim për të dhënë një bonus 300 euro për gjithë punëtorët shëndetësorë, por edhe stafit mbështetës. Mirëpo, gjatë kësaj përudhe ka ndodhur diçka që nuk është pritur nga ne, që të kemi një diskriminim. Në fakt e kanë marrë një pjesë e mjekëve dhe infermierëve. Një pjesë thashë, nuk e kanë marrë stomatologët, vozitësit dhe nuk e ka marrë në përgjithësi stafi mbështetës. Shëndetësia nuk funksionon vetëm me mjekët dhe infermierët, por duhet të funksionojë si një zinxhir i tërë. Në këtë rast diskriminim ka ndodh tek stafi mbështetës dhe tek stomatologët”, tha ai.

Mjekët kanë kërkuar që bonusi prej 300 eurosh të shpërndahet deri të hënën pasi në të kundërt, kërcënojnë me bojkot të punës. Ky qëndrim u përforcua edhe kreu i Sindikatës së Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, i cili  u shpreh si vijon: “Për shkak të kësaj kemi ardhur deri tek protesta e djeshme. Nëse nuk zgjidhet ky problem, mund të shkojmë deri tek bojkoti i punës”, tha ai.

Lexoni gjithashtu: 

Bluzat e bardha në protestë, kërkojnë nga qeveria e Kosovës bonusin prej 300 €