Aktualitet

E lënë në arrest shtëpie, gjyqtarja Mimoza Margjeka fajëson konspiracionin shtetëror

Përditësimi i fundit: 01/10/2020 - 11:47
Text size Aa Aa

Gjykata Kundër Krimit dhe Korrupsionit të Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për gjyqtaren Mimoza Margjeka, e cila dyshohet se ka marrë 6 mijë euro ryshfet për të liruar nga qelia një të dënuar.

Pas përfundimit të procesit, gjyqtarja është përplasur me Policinë e Shtetit, ndërsa ka shpërthyer në akuza duke thënë se “ky shtet nuk bëhet”.

"Nuk ka asnjë provë. Emri im dhe i askujt nuk thuhet. Unë kërkova seancën publike. Ky shtet nuk bëhet më. Guxoni t’i dilni përballë shtetit, harrojeni se guxon kush! Kush është futur në burg ndonjëherë, vetëm ata që i kanë dalë përballë shtetit. Mos më prek, mos më prek…! Keni fut fëmijën në burg. Nuk iu heq kush nga puna mos kini frikë se nuk bëhet shteti nga monstra. Kërkova median në proces, por nuk u lejua. Gjyqtarët janë të frikësuar se kanë hall vettingun. S’ka asnjë provë. E kam dosjen këtu. Nuk ka asnjë provë, e kanë bërë gjyqin e fshehtë, të mbyllur, me frikë, sepse i dola përballë më një vendim për njerëzit, jo për politikën, sepse po të ishte politika, ajo do ishte këtu dhe do të mbronte", tha Margjeka. 

Ajo theksoi se kjo është një hakmarrje politike dhe ka lidhje me bashkinë e Durrësit, pasi nuk i dha mandatin kryebashkiakut të zgjedhur në zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019. Krahas kësaj, Margjeka tha se ka pasur në dorë edhe dosjen me tetë tonë drogë, që siç tha ajo njihet ndryshe si dosja e "Gjirit të Lalëzit".

Me tonin e zërit të ngritur dhe në përplasje me policinë, gjyqtarja Mimoza Margjeka u shpreh se qyteti i Durrësit është i mbushur me kriminalitet, mafie dhe banda.

"Nuk i dhashë mandatin bashkisë së Durrësit. Aty është një vend me mafie, me banda, me kriminalitet. Nuk e dhashë mandatin isha e bindur, edhe sot ta kisha nuk do e jepja. Le të varroset familja ime, le të shkatërrohet nuk e meritonin mandatin, është mashtrim. E bënë me një kërkesë të PS. Është turp! Ku do e çoni këtë vend me këtë paturpësi?! E kuptoni sa mafie dhe sa krim ka? E kuptoni që unë kisha në dorë dosjen e Gjirit të Lalëzit. E kuptoni që kisha në dorë dosjen me tetë tonë drogë, që ishin 25 policë detyrim paraqitje, sepse drejtori i kufirit fuste drogën. Turp të keni, shtet mafioz, shtet kriminal!", tha ajo. 

 

Lexoni gjithashtu:

Këshilli i Lartë Gjyqësor pezullon nga detyra gjyqtaren Mimoza Margjeka

Ryshfeti 6 mijë euro, gjyqtarja përplaset me policinë: S'kanë urdhër shoqërimi, më futën në bodrum

Ryshfet 6 mijë euro për ndryshim të masës së sigurisë, SPAK zbulon skemën korruptive

Flet avokati i gjyqtares së arrestuar: Prokuroria përdori dy standarde në hetimin e Mimoza Margjekës

SPAK zbuloi skemën, provat e forta që çuan në pranga gjyqtaren Mimoza Margjeka