Aktualitet

Presidenti Ilir Meta kritika të forta: Të moshuarit janë braktisur nga shteti

Përditësimi i fundit: 01/10/2020 - 10:50
Text size Aa Aa

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në Ditën Botërore të të Moshuarve ka kritikuar ashpër institucionet shtetërore, të cilat sipas tij nuk kanë bërë sa duhet për t'iu gjendur pranë kësaj kategorie të shoqërisë.

Me një shënim në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, z. Meta shkruan se të moshuarit janë lënë në harresë të plotë.

“Mirënjohje, respekt dhe vlerësim ndaj gjithë të moshuarve të Shqipërisë që aq shumë kanë dhënë për përparimin dhe begatinë e familjeve dhe Atdheut tonë. Pavarësisht kontributeve dhe sakrificave të jashtëzakonshme në këtë drejtim, Dita Botërore e të Moshuarve, e gjen sot këtë kategori të margjinalizuar, në gjendje tejet të rënduar, pothuajse të braktisur nga shteti dhe të shkëputur nga fëmijët e larguar masivisht në emigrim”, shkruan Meta.

Kreu i shtetit ndalet tek indeksi i pensioneve për këtë kategori, ndërsa thotë se shuma që marrin është e pamjaftueshme për të përballuar koston e jetesës dhe përkujdesjen shëndetësore.

“Trajtimi me pensione të ulëta dhe indeksimet minimale, e bëjnë ende të papërballueshme jetesën e tyre në raport me çmimet e tregut dhe kostot e jetesës ndër më të lartat në rajon, aq sa të ardhurat mujore, nuk ju mjaftojnë as për të paguar ilaçet, energjinë elektrike dhe ujin. Me nivelin më të lartë të sëmundshmërisë, trajtimi i tyre shëndetësor nga institucionet shtetërore në raport me të ardhurat dhe nevojat që ka kjo kategori, është thuajse i papërfillshëm”, pohon Meta.

Presidenti Meta i rikthehet sërish fenomenit të largimit të shqiptarëve, ku thotë se duhen politika të qarta për të ndaluar këtë plagë , e cila sipas tij po lë pasoja shkatërruese për vendin.

“Braktisja, vijon të jetë gjithashtu një plagë e rëndë. Vetmia që përjeton kjo kategori prej shpopullimit, dramës së madhe të popullit tonë dhe familjes shqiptare në vitet e fundit, është e papranueshme dhe kërkon një zgjidhje të menjëhershme duke rikthyer shpresën në radhë të parë për fëmijët e tyre për të ndërtuar të ardhmen në vendin tonë dhe pranë familjeve”, apelon presidenti.