Aktualitet

Regjistrohet dita me më shumë të shëruar nga COVID-19 në Shqipëri

Përditësimi i fundit: 01/10/2020 - 16:33
Text size Aa Aa

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, njoftoi në Facebook të enjten, se gjatë 24 orëve të fundit 230 persona mundën ta mposhtin koronavirusin.

Kjo është shifra më e lartë e raportuar ndonjëherë për shërimet ditore mes të infektuarve në Shqipëri.

Më parë numri më i lartë i të shëruarve qe raportuar më 1 shtator ku pati 227 persona që e mposhtën virusin.

Prej 1 shtatorit e deri më sot, rezulton se 2,633 persona kanë mundur të negativizohen nga COVID-19.

Gjatë këtij muaji pati mesatarisht 84 persona të shëruar çdo ditë, mirëpo nga ana tjetër me një total prej 4,136 të infektuarish, mesatarja e rasteve ditore me COVID-19 ka qenë ndjeshëm e lartë.

Mesatarisht 133 persona në ditë u infektuan me koronavirus gjatë muajit shtator.

Në raportimin ditor të së enjtes, ministria tha se gjatë 24 orëve të fundit janë mundur të kryhen mbi 1 mijë testime për COVID-19, ku 150 qytetarë rezultuan të infektuar.

Nga ana tjetër vetëm një pacient 66-vjeçar nga Kukësi humbi jetën, ndërsa numri i të shtruarve ka shkuar në 203 pacientë, ku 20 prej tyre janë në terapi intensive.

Kështu numri total i rasteve shkon në 13,806, prej së cilave 8,077 janë mundur të shërohen, ndërsa 388 janë mbyllur me pasojë vdekjen.

Tregime të lidhura