Aktualitet

Ryshfeti 6 mijë euro, gjyqtarja Margjeka kërkon mediat në sallën e gjyqit: Kam 4 diploma, po më sulmojnë politikisht

Përditësimi i fundit: 01/10/2020 - 09:11
Text size Aa Aa

Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit Korçë, Mimoza Margjeka e akuzuar për korrupsion është paraqitur sot në Gjykatën e Posaçme të Apelit për ndryshimin e masës së sigurisë arrest shtëpie.

Gjyqtarja kërkoi para seancës të jenë në sallë gazetarët, pasi sipas saj ajo është sulmuar politikisht për shkak të zgjedhjeve të 30 qershorit ku ajo nuk i dha mandatin kryetares së bashkisë së Durrësit.

“Unë dua që media të jetë prezente aty, se gjyqi u bë publik dhe tani gjyqi do të bëhet me dyer të mbyllura. Të nxjerrin një foni të dëgjohet. Do kërkoj shfuqizim të të gjitha vendimeve. Kam dosjen në dorë, është injorancë, nuk ka asnjë provë. Unë do të kërkoj foninë jashtë, kjo është çështje sensitive, u propagandua për ditë me radhë gjyqtarja e korruptuar mori 6 mijë euro për të liruar trafikantin.

Këto nuk janë fjalë juristësh, këto janë fjalë propagandistike për goditur reputacionin tim, kam 30 vjet në gjyqësor, kam 4 diploma. Dyshoj që është tendencë politike. Nëse dikujt i del përballë do të godasë. Jam  i vetmi gjyqtar që s’i kam dhënë mandatin një bashkie, se zgjedhjet ishin nul, nuk ishin zgjedhje ato. Mendova se do ta bënin edhe gjyqtarë të tjerë. Po ta bënin edhe të tjerët nuk do na prangosnin familjarisht”, tha gjyqtarja.

Rasti i gjyqtares së Apelit në Korçë, Mimoza Margjeka u bë publike disa ditë më parë.

Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rezultonte se shtetasit Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj i kanë dhënë shtetases Mimoza Margjeka, me detyrë gjyqtare, aktualisht e komanduar në Gjykatën e Apelit Korçë, nëpërmjet bashkëshortit të saj, Arben Cara, një shumë prej 6.000 eurosh për ndryshimin e masës së sigurisë, nga “arrest në burg” në “garanci pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali.

Ky i fundit ishte arrestuar për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”. Pas ndalimit të këtyre shtetaseve, organet e drejtësisë kanë caktuar edhe masën e sigurisë ndaj tyre.

 

Lexoni gjithashtu:

Këshilli i Lartë Gjyqësor pezullon nga detyra gjyqtaren Mimoza Margjeka

Ryshfeti 6 mijë euro, gjyqtarja përplaset me policinë: S'kanë urdhër shoqërimi, më futën në bodrum

Tregime të lidhura