Aktualitet

Në kampin e emigrantëve, kishin paguar nga 300-500 euro për të mbërritur në Tiranë

Përditësimi i fundit: 10/10/2020 - 13:26
Text size Aa Aa

Euronews Albania ka mundur të hyjë brenda kampit ku janë duke u strehuar emigrantët e paligjshëm që janë kapur mesnatën e së premtes në operacionin "Perimetri".

Sipas burimeve bëhet me dije se policia ka identifikuar kamionin e tonazhit të rëndë që në rrethin e Devollit, duke e ndjekur me makinë civile deri në fshatin Leminot të Bashkisë së Maliqit, aty ku drejtuesi i kamionit kishte ndaluar për të blerë kafe pranë një pikë karburanti.

Policia e Korçës ka zbuluar dhe identitetin e 4 personave të tjerë të arrestuar të cilët mendohen se kanë shoqëruar kamionin. Ata janë vëllezërit Amarildo dhe Endri Rrushi, si dhe Renard Biçaku e Urim Bajrami.

Që prej muajit Qershor janë kapur rreth 7500 emigrantë të paligjshëm, kryesisht shtetas sirianë, afganë, marokenë dhe turq. Bashkë me ta, janë arrestuar dhe 85 shtetas shqiptarë të cilët u premtonin dërgimin drejt kryeqytetit në shpërblim të 300-500 eurove. Deri tani vetëm në rolin e ndërlidhësit me shqiptarëve dhe emigrantëve të paligjshëm, është arrestuar vetëm një shtetas afgan.

Aktualisht, kampi i emigrantëve, është i pozicionuar pranë stacionit kufitar të Kapshticës dhe ushqimi i tyre sigurohet nga Drejtoria e Policisë Kufitare.

Tregime të lidhura